Ani se të nderuar me çmimin dhe mirënjohjen, nxënësit kanë kërkuar që të punohet më shumë për t’u dhënë hapësirë personave me arritje në shkencë. Dion Aliu, 16 vjeçar dhe fitues në garën ndërkombëtare të matematikës, ka thënë se ka mungesë të interesimit të matematikanëve që t’i trajnojnë të rinjtë
Dyzet e pesë nxënës kanë marrë shpërblime të mërkurën nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për çmimet që i kanë fituar në garat vendore dhe ato ndërkombëtare të matematikës e fizikës.
Nxënësit e shpërblyer kanë fituar çmime në Olimpiadën Kombëtare të Matematikës, Garat Kombëtare të Fizikanëve të rinj, Olimpiadën e Matematikës së Kosovë-Shqipëri, Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës Ndërkombëtare, si dhe Kupën Evropiane të Matematikës.
Ani se të nderuar me çmimin dhe mirënjohjen, nxënësit kanë kërkuar që të punohet më shumë për t’u dhënë hapësirë personave me arritje në shkencë.
Dion Aliu, 16 vjeçar dhe fitues në garën ndërkombëtare të matematikës, ka thënë se ka mungesë të interesimit të matematikanëve që t’i trajnojnë të rinjtë.
"Në Kosovë, ndoshta është pak e vështirë të shprehet talenti, për shkak të pengesave që janë, si për shembull, ka shumë pak që merren me ne për matematikë", ka thënë Aliu.
Njohuritë e tyre nxënësit kanë thënë se synojnë që t’i zhvillojnë edhe më shumë. E, për ta arritur këtë ata kanë theksuar se studimet do t’i kryejnë jashtë vendit.
Jona Shefkiu, fituese në tri gara të matematikës, ka thënë se fokusi i saj është që të regjistrohet në një nga universitete në Angli.
“Mendoj që për shkollim të shkoj jashtë, sepse mendoj që teknologjia është e ardhmja”, ka thënë ajo, pas ceremonisë.
Në ndarjen e çmimeve dhe mirënjohjeve, të pranishëm kanë qenë kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Duke e quajtur arsimin si shtyllë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, Kurti ka premtuar përkrahje shtetërore për nxënësit.
“Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të fokusuar për plane dhe programe më të mira për të ofruar mundësi maksimale në rritjen e potencialeve sa më të larta për të rinjtë dhe të rejat”, ka thënë ai.
Nagavci ka bërë të ditur se ministria e Arsimit është e përqendruar që t’i zbulojë nxënësit me talente të veçanta.
“Për t'u përkujdesur në vazhdimësi për këto talente në këto fusha, sidomos në fushën e matematikës dhe fizikës, fusha këto ku bota e ka koncentruar vëmendjen, ne përveç bashkëpunimit që kemi pasur me organizata, kemi krijuar edhe skema të reja për përkrahje financiare edhe gjatë studimeve”, ka thënë ajo.
Para nxënësve dhe prindërve të tyre, Kurti e Nagavci kanë deklaruar se përmirësimi i cilësisë së arsimi përbën prioritet.
“Një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të Kosovës është arsimi cilësor. Arsimi është prioritet i qeverisjes sonë”, ka thënë Kurti.