5 perditesime
20:50

Gjonbalaj: Inspektorati duhet t’ua vë çelësin shumë vendeve në QKUK

Zëvendëskryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, ka thënë se shumë vendeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Inspektorati duhet t’ia vë çelësin për shkak se nuk ka kushte për punë.

Në emisionin DESKU në KTV të enjten, Gjonbalaj ka thënë një praktikë e tillë është parë në Klinikën e Ortopedisë.

“Ka shumë vende në QKUK që Inspektorati duhet t’i mbyllë me çelës, ka pasur praktika në Ortopedi ku kolegët thonë se nuk ka kushte për punë. Në momentin që ne ofrojnë shërbim me kushte jo të mira do të pësojnë pacientët dhe ne”, ka thënë ai.

Sipas Gjonbalajt, sistemi shëndetësor në Kosovë nuk ka listë të shërbimeve.

“Kemi sistem shëndetësor ku nuk kemi një listë shërbimesh. Momentin që nuk kemi një listë shërbimesh nuk kemi çmimore të shërbimeve. Po prolongohet nëpër tryeza se sistemi është unik dhe i pandarë, realisht sistemi është i ndarë dhe madje thellë. Kemi institucione publike që nuk janë as të licencuara as të akredituara, kemi sektorin privat që duhet t’i nënshtrohet një rregulloreje të licencimit, kështu që sistemi është i ndarë, duhet të jetë i barabartë”, është shprehur ai.

20:43

Metushi: Mjekët po na ikin, qytetarët i blejnë barnat, paratë rrinë në Qeveri

Diana Metushi, menaxhere projektesh në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar në alokimin e resurseve publike në shërbim të qytetarëve.

Metushi ka thënë derisa paratë e investimeve rrinë në Qeveri, mjekët po ikin nga Kosova dhe qytetarët detyrohen edhe më tutje të blejnë barna.

“Mjekët po na ikin, qytetarët po paguajnë për barna, paret po na rrinë në Qeveri, kemi një dështim të Qeverisë në alokimin e resurseve publike në shërbim të qytetarit”, ka thënë Metushi të enjten në “Desku” të KTV-së.

Ajo ka kritikuar mos bërjen e analizave për problemet dhe zgjidhjen e tyre nga gjetjet e këtyre analizave në sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Brenga kryesore është ikja e mjekëve tanë dhe shërbimet e dobëta ndaj pacientëve. Nëse një mjek i joni qenka i mirë për Gjermaninë atëherë problemi qenka me sistemin pse ai ik nga këtu. Nëse pacienti nuk e merr shërbimin e trajtuar nuk është në pyetje një mjek por shumë mjekë dhe sistemi. Në çdo aktivitet qeverisës është që në problemet me të cilat ballafaqohemi nuk bëhet analiza e saktë e problemit por problemi trajtohet prej iluzioneve”, ka thënë ajo.

20:39

Ramaj: Kurti nuk i njeh problemet e shëndetësisë

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i njeh problemet e shëndetësisë në Kosovë, e sipas saj, Komiteti për Shëndetësi, nuk po e informon drejt Kurtin.

Ramaj tha të enjten në DESK-un e KTV-së se Komiteti nuk po merret me problemet reale si ikja e mjekëve, derisa theksoi se nuk po sheh zgjidhje konkrete.

Për ministrin e dorëhequr të Shëndetësisë, Rifat Latifi, Ramaj u shpreh se nuk pati vizion që përputhej me vizionin e Qeverisë.

“Vizioni i Latifit nuk përputhej me vizionin e Qeverisë, sigurimet nuk përmendeshin, diskutohej telemjekësia. Telemjekësia është projekt privat i Latifit”, tha ajo.

20:33

Gjonbalaj: Moskomunikimi, problemi kryesor në institucione

Zëvendëskryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, ka thënë se moskomunikimi është problemi kryesor në institucione.

I ftuar të enjten në emisionin DESKU të KTV-së, Gjonbalaj ka thënë se ky problem nuk ka lindur me drejtuesin e fundit të ministrisë, por është problem i vazhdueshëm.

“Lajm i papritur, në komunikimet që i kemi pasur me ministrin nuk është diskutuar një temë e tillë. Komunikimi i fundit ka qenë gjatë kësaj jave, nuk ka lënë të kuptojë se ka një indice largimin, është e papritur. Problemi sa i përket komunikimit institucional në shëndetësi është i vazhdueshëm, hallkat e komunikimit mungojnë”, ka thënë ai.

Gjonbalaj ka shtuar se sistemi shëndetësor është vazhdimisht në reformë, që nga pavarësia e Kosovës.

“Vazhdimisht ka përpjekje për ta ndryshuar situatën por a po arrihet? Secili ministër që vjen i ka projektet afatgjate dhe afatshkurtra, faktikisht ka fjalë, ne jemi vazhdimisht në reformë shëndetësore, legjislative, që nga pavarësia e tutje, jemi në reformë. Realisht i bëjmë të gjitha këto pa e bërë një analizë se ku është defekti i atij ligji që e kemi”, ka thënë ai.

20:29

Metushi për dorëheqjen e Latifit: I shton peshë situatës së rëndë në shëndetësi

Diana Metushi, menaxhere projektesh në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se gjendja në shëndetësinë e Kosoëvs është e mjerueshme.

Metushi ka thënë në “Desku” të KTV-së të enjten se lëvizjet e shpeshta të krerëve të shëndetësisë vetëm sa e rëndon këtë gjendje.

“Shëndetësia është në gjendje të mjerueshme. Lëvizjet në këtë dikaster vetëm sa i shtojnë peshë situatës së rëndë me të cilën jemi duke u ballafaquar pasi secili ministër duhet të fillojë nga fillimi edhe faji i veshët atij pararendësit edhe në anën tjetër e vonojmë fillimin e përmirësimit të praktikave apo të ndonjë projekti konkret nga i cili do të përfitonin qytetarët”, ka thënë Metushi.

20:24

Ramaj: Latifi la shumë për të dëshiruar

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, deklaroi se ministri i dorëhequr i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka lënë shumë për të dëshiruar me punën, e sipas saj, dorëheqja e Latifit nuk e befasoi.

Ramaj tha në DESK-un e KTV-së të e njten se ende nuk dihen arsyet e dorëheqjes, por që siç u shpreh ajo, Latifi pati mospajtime dhe konflikte të vazhdueshme me stafin e tij.

“Fatkeqësisht, për 11 muaj, ajo që ka treguar si menaxher i shëndetësisë lë shumë për të dëshiruar. Ka pasur vendime kontradiktore individuale. Pardje, Latifi ka bërë ushtrues detyre një kryeshef të AKP-së, një ish-eksponent të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, deklaroi ajo.

Sipas Ramajt, Latifi ka kërkuar shfuqizimin e disa rregulloreve brenda SHSKUK-së, por sipas Ramajt, vendimet e tij nuk janë përfillur.

“Latifi ka shkaktuar shumë konflikte në staf. E ka takuar vetëm 2 herë Bordin dhe ka krijuar kontakte siç nuk e thotë hierarkia”, tha ajo.