Arbëri

Shatri: Qeveria i ka bllokuar 706 milionë euro, 150 milionëve prej tyre u ka humbur vlera

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se Qeveria ka bllokuar 706 milionë euro në Bankën Qendrore të Kosovës, duke i lënë të gatshme dhe pa ndonjë vlerë.

Shatri ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, del që 150 milionë prej tyre u ka humbur vlera, pasi siç ka thënë, ato mjete po flenë.

“Paratë që i kemi të gatshme që rrinë në Bankën Qendrore që janë të parapara ,e ligj për buxhetin janë 706 milionë për investime kapitale, shkon viti dhe kjo qeveri i bllokon dhe i lë. Në kushte të këtij inflacioni dhe me një llogaritje të thjeshtë flet se vetëm të këtij viti, paret e bllokuara kanë humbur në materie nja 150 milionë, sikur të ishin djegur sepse ato flenë, shuma e mjeteve që flenë të paangazhuara janë rreth 800 milionë. Kanë qenë vetëm 70 milionë të angazhuara. Në investime reale kanë shkuar vetëm 20 milionë, nja 10 milionë kanë shkuar për t’i mbuluar kontestet gjyqësore, disa milionë për shpronësime dhe të tjera të cilat nuk kanë ndikim në zhvillimin e vendit”, ka thënë Shatri.

Ai ka kritikuar kryeministrin Kurti edhe për deklaratat e tij për luftë në Kosovë, duke thënë se këto ndikojnë në humbjen e interesimit të investitorëve të huaj për të investuar mjetet e tyre në Kosovë.

Shatri po ashtu ka thënë se Qeveria aktuale është kthyer në institucion këshillëdhënës në vend se të vepronte marrë parasysh se është ekzekutiv.

“Qeveria duket se është kthyer në një institucion këshillëdhënës, por qeveria është ekzekutivi, që do të thotë se ajo duhet të veprojë, nuk ka nevojë të sqarojë, ajo ka kompetenca të veprojë në kuadër të rrethanave që krijohen. Këta nuk e kanë kuptuar mirë këtë punë”, ka thënë Shatri.

Ish-ministri ka kritikuar Qeverinë se nuk po bën rishikimin e buxhetit për ta përshtatur me rrethanat aktuale.

“Si ka mundësi që gjithë këto ndryshime në rrethana të veprimtarisë ekonomike qeveria qëndron pasive dhe nuk e bën një rishikim të buxhetit. E ka të lejuar me ligj, mund të bëjë rishikim sa herë të ketë nevojë, mundësitë i ka, numrat në Kuvend i ka. Nuk e kanë bërë këtë punë, e kanë bërë një rishikim shminkë që është propozuar në shkurt, dhe nuk e kanë miratuar deri në qershor. Do të ishte dashur që buxheti të përshtatej me rrethanat e reja”, është shprehur Shatri.