Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar që të kthehet në rigjykim çështja ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetit Pal Lekaj dhe ish-deputeteve Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, të cilët akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016.
Prokuroria më 24 qershor 2021 pati parashtruar ankesë në Apel për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Kodit Penal, ndërkaq të enjten u mbajt seanca për shqyrtimin e kësaj ankese.
Ndaj ankesës është përgjigjur avokati i Lekajt i cili vetë nuk ishte në seancë. Avokati Arianit Koci tha se ky është një rast specifik duke theksuar që nuk ka ndonjë rast në botë kur kaq shumë deputetë janë akuzuar për qëndrime politike. Ai shtoi se ankesa e prokurorisë është e pakuptimtë, duke përmendur që prokuroria si argument ka marrë raportimin e mediave lidhur me bombolën e gazit.
Sipas avokatit Koci, nuk kishte asnjë provë që vërtetonte fajësinë e Lekajt dhe i njëjti i propozoi gjykatës të refuzojë ankesën e prokurorisë dhe të vërtetojnë aktgjykimin e shkallës së parë.
Para trupit gjykues, e akuzuara Baftiu deklaroi se ndihej e pafajshme, dhe e njëjta theksoi që aktgjykimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe se prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme të vërtetonte fajësinë e tyre dhe se tash mbetet në dorë të gjykatës së Apelit të vendosin.
Ndërsa, Haxhiu propozoi që Apeli ta refuzojë ankesën e prokurorisë, duke thënë se, fakti që prokurori nuk ishte i pranishëm tregon shumë për seriozitetin e kësaj çështje.
Në këtë seancë nuk ishte e pranishme as Kadaj- Bujupi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzoheshin se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës. Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, të cilët akuzoheshin për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës./ BetimipërDrejtësi