Arbëri

Hoti tregon 4 veprime me të cilat thotë se ndihmojnë qytetarët në përballje me inflacion

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar katër veprime me të cilat qytetarët do të ndihmoheshin në përballje me inflacionin.

Hoti në një postim në Facebook, ka thënë se këto veprime po mungojnë që nga muaji mars.

“Indeksimi i pagave, subvencioneve në bujqësi, pensioneve dhe ndihmave sociale me normën e inflacionit; Rritja e pagës minimale në sektorin privat; Ulja e TVSH nga 18% në 8% për naftë dhe për disa produkte ushqimore që ende janë me 18% TVSH; Pezullimi i përkohshëm i akcizës në naftë”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se Qeveria jo që nuk po i ulë tatimet, por po e zvogëlon edhe qarkullimin në ekonomi duke mosimplementuar qindra e miliona euro investime kapitale.

“Sikur të ishin futur në ekonomi qindra miliona euro përmes projekteve kapitale, krahas uljes së tatimeve, do të rritej kërkesa agregate dhe do të parandalohej thellimi i krizës. Të gjitha këto masa nuk paraqesin problem për deficitin buxhetor, pasi bilanci bankar i Qeverisë është rekord i lartë. Këto veprime mund të merren menjëherë dhe jam i sigurt se e kanë mbështetjen e të gjitha palëve”, ka shkruar Hoti.