Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se sindikalistët janë të PAN-it.
Kurti në një prononcim për media sot, pasi votoi në zgjedhjet e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se “sindikalistëve të PAN-it iu ka ndaluar ora në vitin 2017”.
Çitaku ka thënë se Kurti duket se nuk e ka kuptuar se ka “organizata, sindikata, media e shoqata të pavarura, që nuk nënshtrohen”.
“Dobët kryeministër, dobët. Në vend se të ulet e të bëjë zgjidhje, Kurti paska vendosur edhe sot të thumbojë mësueset e arsimtarët tanë. Njëherë, njerëzit e VV-së e quajtën kryesindikalistin njeri të Serbisë, e sot, Kryeministri i paska quajtur sindikatat ‘sindikata të PAN-it’. Si duket Kurti e ka problem ta kuptojë që në Kosovë ka organizata, sindikata, media, shoqata të pavarura, të cilat nuk nënshtrohen. Si duket e ka problem ta kuptojë që ka njerëz që vendimet i marrin vetë. Si duket e ka telashe me e pranu që jo të gjithë ia kanë frikën. Kryeministër, ju jeni kryeministër i Kosovës, jo i VV-së. Fatkeqësisht nuk po silleni si i tillë. Jemi më 25 shtator, e fëmijët tanë janë në shtëpi. Hapi dyert e shkollave Kryeministër. Çelësat i ke në dorë ti”, ka shkruar Çitaku në Facebook.