Arbëri

Selakoviqi mundohet ta arsyetojë marrëveshjen me Rusinë: Nuk e ka temë politikën e sigurisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, është munduar ta arsyetojë nënshkrimin e marrëveshjes që ka bërë me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov.

Në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergey Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme.

Për këtë marrëveshje ka pasur kritika, ndër të tjera nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ka thënë se kryeqendrat perëndimore duhet të alarmohen.

Po ashtu ndaj kësaj marrëveshje ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

““Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunimin në të ardhmen me agresorin, Rusinë. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, ka shkruar von Cramon.

Selakoviq ka thënë se marrëveshja për konsultim me Rusinë daton që nga viti 1996 dhe se është “çështje teknike e nuk ka për temë edhe konsultimin në politikën e sigurisë”.

“Është një çështje e nënshkruar që nga viti 1996, është çështje teknike, e cila sidomos këtë vit përveç konsultimeve bilaterale që kanë të bëjnë me OKB-në dhe që është veçanërisht e rëndësishme për ne për shkak të Kosovës e M dhe nuk ka temë konsultimet për politikë të sigurisë”, ka thënë Selakoviq, raporton Kosovo Online.

Ndërkohë sa i përket referendumeve që po organizohen në territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia, Selakoviq ka thënë se nuk mund t’i njohë ato Serbia, pasi është në kundërshtim me politikën e saj.