Arbëri

Kurti lavdëron qeverisjen e tij, s’i numëron nga 5 suksese të secilit ministër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka numëruar nga pesë suksese të secilit ministër siç pati paralajmëruar javën e shkuar. Megjithatë, ai ka renditur në Facebook disa pika të cilat i ka cilësuar si arritje të qeverisjes së tij në një vit e gjysmë udhëheqje deri tash.

Një javë më herët, Kurti në një konferencë për media pati thënë se u ka kërkuar secilit ministër që t’i dërgojnë nga 5 pika të cilat i konsiderojnë suksese në këtë periudhë deri tash si dhe nga 5 “të këqija që i kanë ndalur”. Përgjigjen e kishte dhënë kur ishte pyetur për t’i numëruar tri suksese të Ministrisë së Shëndetësisë deri tash. E këtë ministri nuk e ka përfshirë as në listën e atyre që i ka cilësuar të arritura të qeverisë deri tash. Nuk ka pasur fjalë e lëvdata as për çështjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, asaj të Infrastrukturës, Mjedisit, Bujqësisë apo edhe të Sportit.

Duke nisur nga ekonomia, Kurti ka thënë se vitin e shkuar Kosova regjistroi rritjen ekonomike më të lartë në rajon prej 10.7 për qind, ndërsa në çerekun e parë sivjet rritje ekonomike 4.9 për qind.

Është lavdëruar për pakon e ringjalljes ekonomike vitin e shkuar dhe për pakon e përballjes me inflacion të sapomiratuar. Shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore etj., kanë zënë vend te lëvdatat e Kurtit për qeverisjen e tij.

“Të hyrat e Doganës dhe ATK-së janë rritur për 30.8% dhe 28%, respektivisht, dmth. të dyja gati trefish më shumë se rritja e Bruto Produktit Vendor. Të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021, janë 22.2% më të larta. Eksportet u rritën për 83.6% vitin e kaluar kurse këtë vit kemi rritje për 29% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Kemi nënshkruar marrëveshjen me MCC-në në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë”, ka vazhduar ai për çështjet që lidhen me ekonomikë.

Kurti është lavdëruar edhe për luftën e ekonomisë joformale e për kontrabandën.

“Dogana ka zbuluar 1,778 veprime të kundërligjshme në 2021 (64% më lartë se në 2020), dhe vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti e ka arritur kuotën mesatare për muaj të vitit 2021. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej mbi 12 milionë euro. Ndërsa, Inspektorati i Tregut ka rritur për mbi 50% numrin e inspektimeve (më shumë se 6 mijë gjithsej)”, ka shtuar ai.

Për arsim, që aktualisht është sektori më i përfolur e që tash e një muaj është në grevë, Kurti ka përmendur rritjen e buxhetit dhe lansimin e sistemit dual.

“Kemi rritur mundësitë e barabarta për zhvillim duke e bërë arsimin publik falas, duke shtuar buxhetin për arsim prej 12%, duke dhënë mbështetje financiare për studentë e nxënës si dhe duke rritur përfshirjen në Edukimin në Fëmijëri të Hershme. Duke lansuar sistemin dual të edukimit kemi hyrë në një etapë të re ku diploma siguron një vend pune pasi më në fund do të lidhim shkollat profesionale me tregun e punës”, ka thënë ai.

Rritje të buxhetit ka përmendur edhe për çështjet e mbrojtjes.

Me vettingun për drejtësi dhe Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjet antikorrupsion, Kurti ka thënë se janë nisur reformat e kërkuara nga qytetarët “që synojnë të bëjnë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e kriminalitetit dhe në dhënien e drejtësisë”.

“E bizneset dhe investitorët do të zgjidhin më shpejtë kontestet përmes Gjykatës Komerciale duke eliminuar pritjet dhe humbjet”, sipas tij.

Kurti ka numëruar si të arritur edhe “themelimin e Institutit për dokumentimin e Krimeve për të ruajtur kujtesën tonë kolektive dhe për t’i treguar gjeneratave të reja dhe botës krimet e kryera gjatë luftë në Kosovë”.

Ai ka thënë se Kosova është lartësuar në botë “duke u renditur e para në rajon për sundimin e ligjit”.

“...duke u përmirësuar për 17 vende në indeksin kundër korrupsionit dhe për avancimin e lirës së medias dhe kemi nxjerrë Kosovën nga izolimi duke aplikuar në Këshillin e Evropës, duke adresuar të gjitha pengesat për liberalizimin e vizave dhe duke përgatitur aplikacionet për anëtarësim në BE dhe në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe”, ka thënë Kurti.

Në fund, Kurti është shprehur se qeveria e tij është e angazhuar për të arritur rezultate që u duhen të gjithëve.

E ka pranuar se pritjet e qytetarëve janë të mëdha, ndërsa ka shtuar se ndryshimi i madh është i mundur “vetëm kur secili jep kontributin që i takon sepse Kosova është shteti e vendi ynë i përbashkët”.

“Për progresin që kërkojmë e për Kosovën që ëndërrojmë duhet të punojmë të gjithë pa dallim e me qëllimet më fisnike. Të ardhmen e mirë e kemi përpara nesh”, ka përfunduar Kurti.