2 perditesime
13:00

Komisioni për Arsim përfundon me përplasje, por pa zgjidhje për të dalë nga greva

Ka përfunduar mbledhja e Komisionit e Arsimit, ku sërish u shoqërua me përplasje të mëdha mes përfaqësuesve të institucioneve dhe atyre të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura. Në fund, përveç përplasjeve, zgjidhje që nxënësit të kthehen në shkollë nuk u gjet. Megjithatë, përfaqësuesit e BSPK-së u zotuan se do ta marrin në konsiderat[ një kërkesë të kryetarit të Komisionit, Ardian Gola. 

Fillimisht, ministri i Financave, Hekuran Murati, prezantoi masat që i kanë ndërmarrë për ta përballur inflacionin, me të cilat ai thotë se do të ndihmohen edhe mësimdhënësit. Murati akuzoi SBASHK-un se gjatë rrugës ka ndryshuar kërkesat, pasi pretendon se kërkesat fillestare të tyre janë plotësuar. Ai shtoi se anëtarësia e SBASHK-ut nuk është njoftuar për ofertën e re të Qeverisë.

Mirëpo, Ymer Ymeri nga këshilli grevist i BSPK-së ka thënë se mënyra se si i është qasur diskutimit ministri i Financave tregon se ai nuk është i interesuar për të arritur marrëveshje.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se me grevistët janë pajtuar pothuajse për të gjitha kërkesat, përveç asaj për 100 euro.

“Pika e vetme ku unë dhe kolegët e mi nuk kemi arritur një mirëkuptim është kërkesa e parë që të përcaktohet një shtesë në vlerë prej 100 eurove. Ne kemi kërkuar që SBASHK-u të mos vijë me një kërkesë të tillë e cila pamundëson zgjidhjen e grevës”, ka thënë Nagavci.

Por për këtë reagoi Ymeri, i cili ka thënë se po keqinterpretohen gjërat. Ai shtoi se tri kërkesat e shpalljes së grevës nuk janë plotësuar.

Nagavci e Murati kërkuan nga grevistët që të pranohet oferta prej 50 eurot, e cila sipas tyre do të vazhdohet edhe vitin e ardhshëm. Ata bën thirrje që mësimi të fillojë, ndërsa dialogu social të vazhdojë.

Mirëpo, këshilli grevist nuk ka dhanë shenja që do ta ndryshojë qëndrimin. 

Kryetari i Komisionit, Ardian Gola, ka dhënë një propozim për Sindikatën që t'i përdorin notat si protestë sindikale, që fëmijët të kthehen në shkolla. Kjo të vazhdojë, sipas Golës, derisa të gjendet një zgjidhje mes Qeverisë dhe BSPK-së.

Por Ymeri nga BSPK-ja ka thënë se zbutja e masave të grevës do t'i jepte arsye edhe më shumë Qeverisë për mosreflektim. Megjithatë, ata i premtuan Golës se do ta diskutojnë propozimin e tij dhe madje do ta ftojnë në takimin e anëtarësisë.

Deputetët e opozitës të pranishëm në Komision kanë kërkuar që të dyja palët e përfshira në këtë çështje të gjejnë një kompromis që nxënësit të kthehen në shkolla.

Në Komision nuk ishte i pranishëm kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

11:52

Ymeri-Muratit: E ki qëllim mos me arrit marrëveshje

Ymer Ymeri nga këshilli grevist i BSPK-së ka thënë se mënyra se si po diskuton ministri i Financave, Hekuran Murati, tregon se ai nuk është nuk i interesuar për të arritur marrëveshje për të dalë nga greva.

Ymeri iu kundërpërgjigj Muratit pasi ky i fundit tha se këshilli grevist nuk ia ka prezantuar anëtarësisë ofertën e re të Qeverisë.

“Po duhet me thirr Muratin në mbledhje të anëtarësisë që e mbajmë çdo natë. Ju hala pa dalë me ofertën prej 50 euro, ne e kemi pyetur anëtarësinë. Ki qëllim mos me arrit marrëveshje. Lexoje drejt kërkesën për sigurimet shëndetësore. Qysh po diskuton ministër, nuk je për me arrit marrëveshje”, ka thënë ai në Komisionin për Arsim të premten.

Murati akuzoi SBASHK-un se po i ndryshon kërkesat gjatë rrugës. 

11:37

Murati e pyet Ymer Ymerin nëse është i afërt me ndonjë parti politike

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar në mbledhjen e komisionit parlamentar për Arsim të premten, të dijë nëse Ymer Ymeri nga këshilli grevist ka ndonjë afrim me ndonjë parti, duke aluduar se për të është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike.

“Kisha disa pyetje për disa anëtarët sepse është raportuar se është i afërt me disa parti politike”, ka thënë Murati.

Mirëpo kryetarja e komisionit Albena Reshitaj e ka ndërprerë duke i kërkuar që të arsyetojë implikimet buxhetore për të arritur një marrëveshje me SBASHK-un.

Ndërkaq Ymer Ymeri nga SBASHK-u i përgjigjet që ka dalë në Vetëvendosje qe dy ditë.

“Qe dy ditë në Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati i është drejtuar ministrit Murati duke i thënë se ka ardhur në mbledhje si kalamaj i çerdhes.

Reagimi i tij ka ardhur pasi që ministri ka thënë nuk e di pse opozita po ndihet në siklet kur po i pyet nëse anëtarët e SBASHK-ut janë të afërt me subjekte politike.

Në mbledhjen e komisionit kanë ardhur edhe deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj nuk po merr pjesë.