Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i është përgjigjur kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili e cilësoi si “tuc” kryeministrin Albin Kurti në Kuvend.
Kurti mbajti një fjalim rreth grevës në arsim dhe menjëherë u largua nga salla. Kjo e irritoi Krasniqin, i cili deklaroi se “Kurti ka lindur tuc, e si tuc po jeton”. Qeveria më vonë njoftoi se kryeministri u largua për t'u takuar me emisarin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Deputeti i VV-së i është kundërpërgjigjur me thumbime kreut të opozitës, duke i thënë se “kanë frikë ta vjedhin dhe ta ndajnë Kosovën”, e për të cilën thotë se kundërshtarët e tyre politikë “nuk kanë frikë ta bëjnë”.
“Po. Ne kemi frikë. Frikë ta vjedhim vendin, ta ndajmë Kosovën. Kemi frikë të tradhtojmë, ta shantazhojmë dikë, ta mashtrojmë qytetarin, ta gënjejmë votuesin. Por për të njëjtën gjë opoentët tanë janë trima, nuk kanë frikë ta bëjnë as njërën prej tyre. Por, ne nuk kemi frikë përballë Vuqiçit, ne nuk kemi frikë nga e vërteta, ne nuk kemi frikë për çka ata vërtetë kanë frikë”, ka shkruar ai në Facebook.