Arbëri

Lajçaku në Prishtinë, takim i paparalajmëruar me Kurtin

Një takim i paparalajmëruar për media, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka nisur të enjten pasdite në Prishtinë.

Siç ka njoftuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kjo ka qenë arsyeja përse Kurti ka lëshuar sallën e Kuvendit.

“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit. Gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”, ka shkruar ai në Facebook.

Takimi me Lajçakun nuk ishte paralajmëruar për mediat. Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se jo çdo vizitë e Lajçakut ka nevojë të paralajmërohet.

“Këto vizita të punës, sikur ajo sot në Kosovë, po bëhen në kontekst që të shtyhen përpara procesi i dialogut dhe vazhdimi i diskutimeve për marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit dhe çështjet aktuale të ndërlidhura me dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.

Emisari i BE-së qëndroi në Kosovë pak ditë më parë, me këshilltarët e lartë të liderëve francezë e gjermanë. Pas qëndrimit në Kosovë, ai ishte edhe në Serbi.

Takimi i fundit në nivel të lartë, në dialogun Kosovë-Serbi ishte më 18 gusht. U tha se do të ketë takime të rregullta në baza mujore, ndërsa ende s’ka datë për ndonjë takim të mundshëm në muajin shtator.