Vendet e rajonit dhe Kosova së fundmi janë përballur me shtim të sulmeve kibernetike. Si pasojë e kësaj, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, që dyshohet të jetë prapa sulmit ndaj sistemit TIMS. Por kryeministri Edi Rama të dielën ka thënë se sulmuesit nuk ia kanë arritur qëllimit dhe sistemet e pikave kufitare janë në punë. Ndërsa njohës të sigurisë kibernetike kanë ngritur alarm të sulmeve të tilla edhe në Kosovë, duke vënë në pah mungesën e kapaciteteve dhe aftësive për t’u përballur me to.
Platforma e-Kosova, faqja e Kryeministrisë dhe e disa ministrive, si dhe faqja e Policisë së Kosovës kanë qenë cak i sulmeve kibernetike gjatë javës që po e lëmë pas.
Sulme që paralizuan shërbimet duke shkaktuar probleme me internetin dhe rënie të faqeve ka pasur edhe në biznese dhe media.
Ato vijnë pas sulmeve kibernetike në Shqipëri ndaj sistemit TIMS nga autoritetet iraniane.
Kastriot Fetahaj, ekspert i sigurisë së softuerit, ka thënë se sulmet që kanë ndodhur kohëve të fundit tregojnë që institucionet qeveritare nuk kanë kapacitete dhe nuk janë të afta t’i përballojnë këto probleme, me përjashtim të Policisë së Kosovës.
“Këto sulme zakonisht shoqërohen me sulme më të avancuara që si rezultat munden me pasë edhe ekspozimin ose dëmtimin e të dhënave si në rastin e Shqipërisë. Deri më tani nuk ka ndonjë dëm në të dhënat të konfirmuar në Kosovë. Por Qeveria duhet t’i zgjerojë kapacitetet njerëzore dhe teknike, si dhe të bashkëpunojë me sektorin privat për t’i ndaluar këto sulme”, ka thënë Fetahaj.
Viteve të fundit, sipas Mentor Hoxhaj, njohës tjetër i sigurisë kibernetike, ka pasur shtim të sulmeve ndaj bizneseve për përfitime financiare.
Pas agresionit rus në Ukrainë ka pasur shtim të sulmeve në Evropë dhe në SHBA. Por cak i sulmeve ka qenë edhe Shqipëria. Është hera e dytë që Shqipëria është bërë cak i sulmeve kibernetike nga Irani. Shkaku i sulmeve Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS nga autoritetet iraniane nuk ia ka arritur qëllimit.
“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj sikur kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfarë qëllimi, asnjë zhdukjeje a rrjedhje serioze të dhënash! Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare. Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vlerësuar se sulmet kibernetike të kohëve të fundit në infrastrukturën virtuale në këtë vend e kanë bërë të qartë se siguria duhet të mbetet prioritet kryesor.
“Sulmet kibernetike të kohëve të fundit në infrastrukturën tonë virtuale sjellin në vëmendje që siguria duhet të mbetet prioriteti ynë kryesor. Ne duhet të fokusohemi tek ngritja dhe zhvillimi i kapaciteteve tona, ndërkohë që forcojmë lidhjet me partnerët dhe aleatët tanë për të mbrojtur sigurinë e vendeve dhe të qytetarëve. Fuqizimi, bashkëpunimi dhe efektiviteti i institucioneve për të reaguar shpejt dhe në kohë përbëjnë çelësin e suksesit për të ruajtur të pacënuar sigurinë kombëtare”, ka thënë Begaj.
Sulmet kibernetike në Kosovë janë konfirmuar nga Qeveria, e cila ka thënë se ato nuk kanë depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror, pasi që janë bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.