Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK), ka lëshuar të shtunën një komunikatë për media, përmes së cilës kritikohet qasja e Qeverisë në raport me sindikatat.
Sipas SBASHK-ut, gjatë takimeve të së premtes në Këshillin Ekonomik-Social dhe më pas edhe në takimin e veçantë të sindikatës me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, zyrtarët qeveritarë kanë kërkuar që njëherë të ndërpritet greva e pastaj të vazhdojë dialogu.
Mirëpo SBASHK-u ka thënë se nuk do të marrin më pjesë në takime të tilla, ku atyre u kërkohet të heshtin dhe t’i pranojë kërkesat e qeveritarëve.
“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, kryetari i Federatës sindikale të shërbyesve civil, Ali Gashi, por edhe përfaqësuesit tjerë të BSPK-së disa herë iu drejtuan me lutje përfaqësuesve të Qeverisë dhe pjesëmarrësve të tjerë që të debatojnë qetë dhe të ndihmojnë që të ketë takim të Qeverisë me përfaqësuesit e BSPK-së, pra me Këshillin Grevist. Mirëpo debatet e kulturuara e gjithë këto lutje në fillim të takimit sikur i trimëruan Muratin e Nagavcin, që kushtëzonin pa të drejt se pa as edhe një takim dhe pa as edhe një marrëveshje të mbyllej greva. Kjo dëshmoi se ata ose nuk duan ose nuk dinë vërtetë as gjë për dialogun dhe veprimet sindikale. Greva ndodh kudo në botë për të nxitur Qeverinë për të ndodhur dialogu e ofruar zgjidhje të pranueshme për kërkesat e grevistëve në mënyrë që të mbyllet greva e në Kosovë përfaqësuesit e Qeverisë e donin të kundërtën dhe me qëllim të caktuar. Ata insistonin që të mbyllet greva e pastaj të bëhej ,kinse, dialogu”, thuhet në komunikatë.
Sipas SBASHK-ut, për të mos u parë qëndrimi dhe kryeneçësia e saj, Qeveria nuk i ka ftuar në këto takime as mediat.
“Tani e tutje përfaqësuesit legjitim të BSPK-së, pra Këshilli Grevist do të shkojë në takime, por vetëm atëherë kur qeveria sillet si palë e barabartë dhe zhvillon debat përmbajtjesor dhe merret me kërkesat e grevistëve. Takime në stilin ju sindikatat heshtni dhe pranoni ato që po themi ne nuk do të ketë më. Qeveria është i vetmi fajtor dhe deri sa ajo vazhdon me injorancë e fjalime të thata, greva do të vazhdojë sepse kështu kanë vendosur, jo individët, por grevistët”, përfundon komunikata.
Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht. Punonjësit e këtij sektori po kërkojnë ndër të tjera 100 euro shtesë në pagë, deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Qeveria e Kosovës ka paraqitur më 3 shtator Pakos e përballjes me inflacionin, e cila parasheh që zyrtarëve publik tu shtohen nga 50 euro deri në fund të këtij viti fiskal. Mirëpo sindikatat nuk e kanë pranuar këtë shtesë duke deklaruar se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.