1 perditesime
17:53

Sindikalistët optimistë për nisjen e dialogut me Qeverinë

Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Atdhe Hykolli nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura janë shprehur optimistë se në dy ditët e ardhshme do të ftohen nga Qeveria për të nisur dialogun social për përfundim të grevës.

Deklaratat e tyre erdhen pas përfundimit të Mbledhjes së Këshillit Ekonomiko-Social që zgjati gati tri orë.

“S’ka ndonjë dakordim ende. Këshilli Ekonomiko-Social nuk merr ndonjë vendim. U munduam të gjejmë rrugë të përbashkët. Debatuam për të gjitha gjëra. Jemi optimist që nesër ose pasnesër, Qeveria me formu ekipin e vet për t’u takuar me BSPK-në për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Jasharaj pas mbledhjes.

"Pati sinjale pozitive që mundet me pas takim me Qeverinë sonte, ose eventualisht nesër", u shpreh Hykolli. 

15:12

Greva në sektorin publik, mblidhet Këshilli Ekonomik Social

Këshilli Ekonomik Social është mbledhur të premten në ora 15:00. Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.

“Po, po mbahet mbledhja e Këshillit Ekonomik Social”, ka thënë shkurt Hykolli.

Këshilli pritet të dalë me një zgjidhje për situatën e krijuar si pasojë e grevave të përgjithshme, të cilat po mbahen në shkolla, në çerdhe dhe në administratë.

Greva ka nisur më 25 gusht nga punëtorët e sektorit publik me disa kërkesa, ndër të cilat 100 euro shtesë në pagë deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Qeveria e Kosovës ka paraqitur më 3 shtator Pakon e përballjes me inflacionin, sipas së cilës u shtohen nga 50 euro në pagë punonjësve të sektorit publik deri në përfundim të këtij viti fiskal.

Mirëpo sindikatat nuk e kanë pranuar këtë, duke bërë me dije se greva vazhdon deri në gjetjen e një zgjidhjeje tjetër.

Këshilli Ekonomik Social përbëhet nga pesë përfaqësues të të punësuarve, pesë përfaqësues të punëdhënësve dhe pesë përfaqësues të Qeverisë.