Arbëri

Gashi: Mësimdhënësit e Kosovës punojnë më pak se mësimdhënësit nëpër botë

Drejtori i organizatës “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, deklaroi se mësimdhënësit e Kosovës punojnë më pak se mësimdhënësit e vendeve të tjera në botë.

Ai tha në “60 Minuta” të KTV-së, të mërkurën, se mësimdhënësit kosovarë nuk mbingarkohen, derisa mori shembuj nga mësimdhënësit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kam qenë mësimdhënës në SHBA dhe jam vlerësuar për procesin e mësimdhënies. Në SHBA, shkollat janë me mësim tërëditor. Mësimdhënësit atje e kalojnë atë 40-orëshin e javës. E tejkalimi i kësaj bën që të kenë kërkesa për ngritje të pagave. Në Kosovë nuk është që mësimdhënësit po mbingarkohen. Në fakt, punojnë më pak se shumica e mësimdhënësve në gjithë botën. Nëse nuk jemi të gatshëm të pranojmë këto fakte, edhe pikënisjet e bisedave për ndryshime nuk janë të sakta”, deklaroi Gashi.

Gashi deklaroi se kërkesa e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), është e pabazuar, dhe nga greva, nxënësit po dëmtohen më së tepërmi.

“Të rinjtë janë pjesa më e pafajshme e shoqërisë. Greva është problem momental, por ka probleme të tjera afatgjate. Kur dëmtohen fëmijët, dëmtohet e tërë shoqëria. Kjo tregon se greva nuk është problem politik, por politika po e shfrytëzon të përfitojë pikë”, deklaroi ai.

Gashi shtoi se 100-eurot e kërkuara nga SBASHK-u deri në miratimin e Ligjit për paga, është kërkesë që do e fuste shtetin në borxh, pasi sipas tij, në këtë situatë aktualisht, kjo shifër është e lartë.

“Nuk e di sa është e bazuar kërkesa e SBASHK-ut, por 100 euro është numër i rëndomtë. Janë 23 mijë arsimtarë (në Kosovë v.j.). Nga 100 euro në muaj, janë 2.3 milionë euro në muaj. Nëse i gjejmë këto para, shteti futet në borxh”, deklaroi ai.

Sipas kreut të “Teach for Kosova”, Kosova është ndër shtetet me pagat më të larta në rajon për mësimdhënësit.

“Mësimdhënësit punojnë 20 orë në javë, e paguhen me një pagë prej më ta mirave në rajon. Kjo kërkesë nuk është e bazuar në hulumtim se si një mësimdhënës ta ketë një pagë të tillë”, shtoi ai.

Gashi potencoi se politizimi i arsimit është problem i madh në Kosovë, e ky problem, sipas tij, po thellohet.

“Argumentet po janë më shume me fyerje, nuk po janë të sinqerta. Disa thonë se takimet po mbahen, (mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t v.j.) disa po thonë që jo. Është më tepër një ndarje politike, sesa një rezistencë për kompromis. Asnjëra palë nuk është për kompromis, po bëjnë luftë mes vete. Po shpresoj që deri të hënën të gjejnë zgjidhje”, tha ai.

Sipas Gashit, Qeveria aktuale i ka të gjitha ministritë nën qeverisje, por që nuk i ka edhe komunat. Kjo sipas tij, po shfrytëzohet ndërmjet pushtetit dhe opozitës për akuza të ndërsjella.

Ai njoftoi se “Teach for Kosova” ka nisur hartimin e një instrumenti për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve në tërë Kosovën.