Arbëri

Pahor për Asociacionin: Derisa nuk ka propozime nga palët, duhet të zbatohet marrëveshja e arritur

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka deklaruar se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të implementohet.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën në Prishtinë, Pahor ka thënë se derisa nuk ka alternativa tjera të propozuara nga palët, duhet të zbatohet marrëveshja e arritur më parë.

“Edhe në Beograd kam thënë, edhe herën e kaluar këtu, unë e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit që të implementohen marrëveshjet e arritura, marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte po ashtu për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë i kam thënë edhe Osmanit që të gjendet një zgjidhje që të arrihet kjo marrëveshje, unë nuk e di nëse ka alternativa, por derisa nuk ka propozime nga palët, vlen marrëveshja e arritur më parë”, ka thënë ai.

Pahor në fjalën e tij ka thënë se në Samitin e 11-të të procesit Brdo-Brioni, më 12 shtator, do të flasin për tema si mundësimi sa më i shpejtë i negociatave për shtetet që kanë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian, që Bosnjë-Hercegovinës t’i jepet ky status deri në fund të vitit si dhe të plotësohet kërkesa për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Temë tjetër është edhe kriza energjetike që na pret gjatë dimrit, mendoj që synimi është që ne t’i themi Bashkimit Evropian që të mos harrojë Ballkanin Perëndimor dhe të bëjë më shumë përpjekje sesa që bëri për krizën me COVID-19”, ka thënë më tej Pahori.

Ai është shprehur i kënaqur që midis Kosovës dhe Serbisë është arritur një siç e quan ai, rezultat i pjesshëm në takimet e fundit në Bruksel, me anë të arritjes së marrëveshjes për dokumentet e identifikimit, ndërsa pret që negociatat të vazhdojnë pa ngecje.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që në drejtuesit në këtë rajon dhe përreth jemi të detyruar që të anashkalojmë deklaratat që prishin shkallën e besimit. Nuk bëhet fjala vetëm për Beogradin dhe Prishtinën, kemi të bëjmë edhe probleme të tjera. Jam i kënaqur që të gjithë drejtuesit e të gjitha shteteve na kanë njoftuar se të hënën do marrin pjesë në takim. Unë jam i vetëdijshëm se mund të arrihet vendime ose deklarata e përbashkët me konsensus”, ka thënë më tej ai.

Për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Rusia nuk ka shkelur integritetin e Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare, meqë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që Sllovenia e ka bërë këtë, Pahori tha se kjo deklaratë është tendencioze dhe një përsëritje e asaj çka tashmë është e ditur.

“Unë e njoh deklaratën e presidentit Vuçiq, u them të dy popujve, të gjitha vendeve në rajon dhe botë se Sllovenia dhe Serbia sa i përket Kosovës kanë qëndrime të ndryshme, ne këtë shtet e kemi pranuar, Serbia nuk e ka pranuar, mendoj që kjo deklaratë ishte tendencioze, por ajo që është, është një ripërsëritje e asaj që ekziston, por unë edhe në konferencën e Beogradit kam thënë që nuk duhet të rrezikohet perspektiva evropiane dhe të kërcënohet siguria e saj.