2 perditesime
23:45

Pupovci: S’e kemi në plan ndryshimin e udhëzimit administrativ për uniformën fetare

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, deklaroi se nuk e kanë në plan ta ndryshojnë udhëzimin administrativ që ndalojnë bartjen e uniformës fetare në shkollat publike.

Ai tha në Interaktiv të KTV-së të enjten se Ministria e Arsimit ka bërë përpjekje që nxënëseve të diskriminuara për çështjen e shamisë, t’iu mundësohet vijimi i procesit mësimor.

“Deri më tani ka mundur të ketë ndonjë shkarje, por nuk mund të thuhet se ka pasur mohim të se drejtës për vijimin e shkollimit. Nuk jemi të gatshëm ta rishikojmë udhëzimin te uniforma fetare sepse kap shumë më tepër sesa shamia dhe më anën tjetër, dëshirojmë ta ruajmë sekularitetin e shkollës publike. Gjithnjë ekzistojnë shkolla të tjera që mund të lejohen gjera të tilla, por në shkollën publike nuk do të duhej të ndërhyhej. Ne nuk kemi plane të tilla që ta prekim atë udhëzim”, deklaroi Pupovci.

Ai u shpreh se shkollimi nuk i mohohet askujt por që “disa gjëra që bëhen në praktikë, nuk ka nevojë të shënohen sepse pastaj mund të nxisin fenomene të reja”.

23:43

Pupovci: Kërkohet që paga e mësimdhënësve të jetë sa 1/3 e pagës më të madhe në Kosovë

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se kërkesa e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, është që paga e punonjësve të arsimit të jetë sa 1/3 e pagës më të madhe në Kosovë.

I ftuar në emisionin Interaktiv në KTV të enjten, Pupovci ka thënë se paga më e madhe në Kosovë e ka koeficientin 18, ndërsa në arsim konsiderohet të rritet te koeficienti gjashtë.

Ai ka treguar për vlerën e koeficientit nëse përkthehet në euro, duke thënë se spekulohet që një koeficientë ta ketë vlerën rreth 120 euro.

“Ajo çka kemi biseduar me SBASHK-un është që kërkesa e tyre ka qenë koeficienti i pagës së mësimdhënësit në arsim të jetë diku sa 1/3 e pagës më të madhe në Kosovë. Paga më e madhe në Kosovë e ka koeficientin 18, kurse në arsim na del ndoshta diku te 6-shi. Vlera e koeficientit përcaktohet në baza vjetore me Ligjin e Buxhetit, deputetët e Kuvendit në baza vjetore e përcaktojnë. Herën e kaluar, ky ligji i fundit që ka qenë në vitin 2019, koeficientet kanë qenë prej 1 deri në 10, tani janë prej 2 deri në 18. Atëherë vlera e koeficientit ka qenë 239 euro, tani po spekulohet me gjysmën e kësaj, diku rreth 120 euro”, ka thënë Pupovci.

Ai ka shtuar se rritja që po kërkohet është e konsiderueshme në raport me pagat e tanishme të mësimdhënësve, ku ajo shënon rritje prej 40 për qind për ta.

Pupovci ka njoftuar se është kërkuar nga Komunat e Kosovës që nga viti i ardhshëm, mësimdhënësit të cilët pensionohen, të mos nxitojnë e t’i zëvendësojnë në ato raste kur nuk ka nevojë, për shkak se numri i nxënësve çdo vit po shënon ulje.

Ai më tej ka thënë se që nga data 18 gusht, ministria që e përfaqëson, komunikon me SBASHK-un, duke shtuar se komunikimi me këtë sindikatë ka ndodhur sa herë u është kërkuar.

“Komunikimi i fundit ka qenë më datë 18 kur është shpallur greva, atë ditë ka dalë projektligji në konsultim paraprak, ua kemi dërguar udhëheqësve të sindikatës dhe na kanë konfirmuar me telefon se e kanë marrë. Përndryshe çdo komunikim i yni është realizuar nëse jo brenda ditës së njëjtë, ka ndodhur në ditën e nesërme”, ka thënë ai.

23:18

Pupovci: Disa drejtori komunale refuzuan të bashkëpunojnë me MASHTI-n

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, deklaroi se disa drejtori komunale refuzuan të bashkëpunojnë me MASHTI-n për të treguar se në cilat shkolla u mbajt greva.

Pupovci deklaroi të enjten në Interaktiv të KTV-së se sipas informatave, shumica e shkollave nuk u hapën për nxënësit më 1 shtator, ndonëse në disa u mbajt procesi mësimor i plotë.

“Kemi një laramani të procesit të arsimit, ku një pjesë e mban grevën, e një pjesë mban mësimin. Në disa komuna janë ftuar drejtorët e shkollave që iu janë kërkuar të futen në grevë. Këto raste paraqesin shkelje të konventave të grevës, imponimet e tilla janë të papranueshme, sikurse janë të dënueshme edhe presionet për të hequr dorë nga greva”, deklaroi ai.

Sipas Pupovcit, Ministria e Arsimit takimin e fundit me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK0m, e ka zhvilluar më 18 gusht, ku janë diskutuar koeficientët e pagave të mësimdhënësit, në përpilimin e Ligjit të pagave.

“Bisedat tona janë zhvilluar në çështje ku kemi kompetenca, te koeficientët e pagave, bashkë i kemi punuar ato koeficiente dhe i kemi dërguar në grupin e punës. Kur ka dalë versioni, ato koeficientë janë në draftin e projektligjit”, tha ai.

Zëvendësministri i Arsimit theksoi se SBASHK-u në takim e ka hapur temën e ndarjes së 100-eurove çdo muaj, por që kjo sipas tij, përfshin edhe punonjës të tjerë të sektorit publik.

“Për këtë kërkesë iu kemi thënë se ne nuk jemi ata që mund ta mbështesim sepse kjo do të duhet të shtrihet në të gjithë sektorin publik, edhe të pensionistët, kategoritë sociale. Arsyetimi i kësaj (nga SBASHK-u v.j.) është se ka ardhur deri te një ngritje e madhe e çmimeve. Ne që tani, në bazë të statistikave, e kemi pagën mesatare 612 në sektorin publik, ndërsa paga mesatare në sektorin privat është 419 euro. Nëse si ministri do ta mbështesnim këtë, ky hendek do të rritej”, shtoi ai.

Pupovci potencoi se në kushte të grevës, sindikatat i paguajnë vetë grevistë, por sipas tij, kjo në Kosovë nuk është respektuar.

“Te ne jemi mësuar ndryshe, kur kanë ndodhur grevat e tjera, Qeveritë e kanë parë më të arsyeshme të mos ndalojnë pagesën. Qeveria me pezullim të pagave për mësimdhënësit po e respekton ligjin”, tha tutje Pupovci. Ai theksoi se kjo çështja po shkakton tensione të panevojshme, duke shtuar mbledhja e të dhënave se kush është në grevë nuk duhet të shihet si presion.