Arbëri

Opozita kërkon dialog për marrëveshje finale, e jo të copëzuar në tema

Descriptive Text

Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë kërkuar kryeministrit Kurti dialog ndryshe prej atij që kanë aplikuar sa kanë qenë edhe vetë në Qeveri. Pas takimit me kreun e ekzekutivit, Abdixhiku e Haradinaj kanë thënë se dialogu i copëzuar pa marrëveshje finale për njohje reciproke i konvenon vetëm Serbisë

Ndryshim të qasjes në dialog - nga i copëzuar, në marrëveshje për njohje reciproke, i kanë kërkuar kryeministrit Kurti, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkesën ia kanë shprehur në takimin e zhvilluar me shefin e Qeverisë, të martën.

Kreu i LDK-së ka thënë se kryeministri nuk paraqiti ndonjë informatë të re përtej atyre gjashtë pikave të proklamuara pas takimit të fundit në Bruksel. Sipas tij, tani është koha për dialog që nuk merret me tema të caktuara, por negociohet për marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse.

“Konsideruam se ftesa ishte e vonshme, dy javë pas takimit të Brukselit. Ndërkohë partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, informimi ishte më i thellë sesa nga kryeministri. Kryeministri bëri një prezantim të gjashtë pikave të njohura tashmë për publikun, nuk pati ndonjë risi”, ka potencuar Abdixhiku.

“Besojmë se dialogimi i copëzuar, pjesë-pjesë, i shkon në interes vetëm Serbisë. Sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, atëherë e ushqen ‘statusquo-në’. I kërkuam kryeministrit të jetë i guximshëm, të shkojë në dialog me aleatët, veçanërisht me SHBA-në dhe të kërkojë marrëveshje finale me njohje reciproke në thelb të saj, me respektim të Kushtetutës dhe respektim të integritetit territorial”, ka shtuar ai.

Abdixhiku i ka bërë thirrje Kurtit të raportojë në Kuvend. I pyetur për marrëveshjet e kaluara në nënshkrimin e të cilave ka hise edhe LDK-ja, Abdixhiku ka thënë se është për respektimin e tyre, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

E, Haradinaj i AAK-së veç marrëveshjes për njohje ka kërkuar që roli i ndërmjetësit në dialog t’i kalojë SHBA-së.

“Kemi prezantuar para kryeministrit që nëse dëshiron me ecur përpara në koordinim me neve, s’do të hezitojmë me ndihmuar Kosovën për marrëveshje për njohje reciproke, ku respektohet Kushtetuta, integriteti e sovraniteti i vendit. Mos të shkohet me marrëveshje një nga një, sepse kjo i konvenon Serbisë. Tash është koha që Kurti me kërkuar që platformën e dialogut me ia kaluar Amerikës”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Kurti ka mohuar se liderëve të opozitës u ofroi informacione të pjesshme lidhur me dialogun e deritashëm. Për deklarimet e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj, se ndërmjetësit ndërkombëtarë i kanë njoftuar në mënyrë më të detajuar, Kurti ka thënë se nëse ndërkombëtarët kanë thënë diçka më shumë, atëherë është mirë të tregojnë dy krerët e partive opozitare.

Shefi i Ekzekutivit ka folur edhe për çështjen e targave dhe rrethanën nëse Serbia vazhdon të lëshojë dokument hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, pavarësisht ujdisë së fundit.

“Nuk ka dokumente përcjellëse, vetëm karta identiteti i duhet qytetarit kur kalon mes dy vendeve. Nëse Serbia vazhdon me lëshuar dokumente hyrje/daljeje, teorikisht apo rastësisht, atëherë edhe ne detyrohemi ta aplikojmë reciprocitetin. Më 1 gusht kemi ndarë për 19 orë 2679 dokumente të tilla pa asnjë incident. Shpresoj të mos jetë nevoja të ndajmë edhe dokumentin e 2680, por varet nga ajo nëse Serbia e shkel marrëveshjen”, ka thënë Kurti.

I pyetur për veprimet që mund t’i ndërmarrin nëse rikthehen tensionet në veri, Kurti e ka përsëritur se ai nuk e bën rolin e policit, doganierit apo prokurorit.

“Jam kryeministër i Kosovës. Organet shtetërore të Kosovës për çdo shkelje ligji do të marrin masa në përputhje me ligjin”, ka thënë Kurti.

Sa i përket gjashtë pikave të ngritura në takimin e fundit në Bruksel, e të cilat ia shpalosi edhe opozitës, sipas Kurtit, kapitulli i parё do të duhej tё definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar, qё nënkupton në njërën anë njohjen reciproke dhe në anën tjetër rrugёn e Kosovës drejt anёtarёsimit tё plotё nё organizatat ndërkombëtare.

Nё kapitullin e dytё është trajtuar ballafaqimi me tё kaluarёn, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunё, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale tё luftёs, kthimi i dokumentacioneve publike, por edhe i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike. Pas trajtimit tё plotё tё sё kaluarës, sipas Kurtit, mund të diskuohet pёr hapat qё do t’i ndёrmarrin në të ardhmen, e të cilët kanë të bëjnë me vendosjen e bashkёpunimit.

Nё kapitullin e katёrt është ofruar trajtimi i tё drejtave tё pakicave respektive, pёrfshirё edhe garancionet përkatëse si pёr serbёt ne Kosovё ashtu edhe pёr shqiptarёt nё Serbi.

Me kapitullin e pestё është propozuar rikonsiderimi i marrёveshjeve e deritanishme, ndërkaq kapitulli i fundit flet për mekanizmat pёr zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit.

Takimin me Kurtin e refuzoi kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi. Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim dërguar kryeministrit, Krasniqi tha se me Kurtin takohet vetëm kur procesi i dialogut të avancojë për tema konkrete.

Sipas Krasniqit, aktualisht dialogu me Serbinë është shndërruar në dialog teknik.

“Në procesin e dialogut ne ju kemi dhënë hapësirën e nevojshme, juve dhe Qeverisë, për të kryer detyrat tuaja në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore. Sepse, dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”, ka thënë ai.

Takimi i Kurtit me një pjesë të opozitës vjen disa ditë pasi Kosova dhe Serbia u morën vesh që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e vendeve përkatëse.

Pavarësisht shmangies së tensioneve më 1 shtator kur pritej që Kosova ta aplikonte masën e njëjtë, zyrtarët serb kanë vazhduar të dramatizojnë. Sipas tyre, tensionet mund të rikthehen nëse qeveria insiston në targa RKS për serbët e Kosovës.

Çështja e targave ka mbetur të diskutohet në kuadër të takimeve të ardhshme. Kryeministri Kurti tha javën e kaluar se një opsion i propozuar nga emisari i BE-së, Lajçak ka qenë rikthimi i targave të UNMIK-ut për serbët në veri. Por, sipas tij, ky opsion është kundërshtuar.

Sipas vendimit të qeverisë, pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, u është mundësuar regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

Ndryshimin e targave mund ta bëjnë në periudhën 1 gusht 2022 – 30 shtator 2022. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë.