Arbëri

Borrell për takimin Kurti-Vuçiq: Pres gjuhë të përbashkët nga të dy liderët

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë të enjten se është koha të ecet përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Në një postim në Twitter, Borrelli ka shkruar se pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në takimin e sotëm në Bruksel që të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Kam thirrur për këtë mëngjes takimin e dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël, për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell.

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka nisur në ora 10:30. 

Takimi është thirrur nga Borrelli pas tensioneve të krijuara në veri më 31 korrik si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targa dhe për reciprocitet për dokumente me Serbinë, që do të duhej të niste së zbatuari më 1 gusht.

Mirëpo pas kërkesës së SHBA-së dhe BE-së, kryeministri Albin Kurti më 31 korrik ka vendosur që zbatimi i vendimit të shtyhet për 1 shtator.

Kurti ka thënë të mërkurën pas takimit që ka pasur në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se mund të ndodhë që të mos ketë nevojë për reciprocitet më 1 shtator pasi siç ka thënë, Serbia mund të heqë dorë nga lëshimi i dokumenteve për qytetarët e Kosovës që e kalojnë kufirin Kosovë-Serbi.

Ndërkaq pas takimit me Borrellin, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se shpreson për ndonjë zgjidhje, por është skeptik se një e tillë do të ndodhë.