Arbëri

Hill: Asociacioni duhet të shtrohet në tryezën e diskutimeve më 18 gusht

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë të premten se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet që të shtrohet në tryezën e diskutimeve në takimin e 18 gushtit midis krerëve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të procesit të dialogut, ka raportuar e përditshmja serbe “Danas”.

Gazeta nga Beogradi ka raportuar se Hilli, gjatë një adresimi për televizionin publik të Serbisë, ka shprehur mendimin se nuk ka çështje më të rëndësishme sesa ajo se si do të jetojnë në të ardhmen serbët në Kosovë, se sa të sigurt ndihen dhe nëse duan që të mbesin në Kosovë.

“Mendoj se Asociacioni është rrugë e mirë, për të po flitet me vite. Ka ardhur koha që të shtrohet në tryezë dhe të zhvillohen bisedime serioze për të”, ka theksuar ambasadori, ka shkruar “Danas”.

Hill ka bërë gjithashtu të ditur se zgjidhje të këtilla tashmë ekzistojnë në shumë demokraci dhe ka vlerësuar se “mund të zbatohen edhe në Ballkan”, duke theksuar se “cilido shtet, përfshirë edhe Kosovën, po qe se dëshiron që t’i arrijë standardet evropiane dhe të pranohet në familjen e kombeve evropiane, duhet që të bëjë lëvizje seriozisht për këtë”.

“Të dyja palët duhet t’i përkushtohen seriozisht kësaj çështjeje, zgjidhjes së saj, që të përballen me problemet dhe këtë me synimin që qëllimi përfundimtar të jetë funksional dhe i qëndrueshëm në botën reale”, ka thënë Hill, sipas raportimit nga “Danasi”.

Ambasadori amerikan në Serbi ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara e kanë vënë re ngritjen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë gjatë kohës së fundit dhe ka shtuar se të dyja palët duhet që të “përmbahen nga retorika e tyre, sepse ka pasur disa fjalë të rënda, që jo që i ndihmojnë shumë këtij procesi”.

“Një atmosferë e këtillë kurrë nuk ndihmon, por shumëçka është në tryezë. Ka pasur shumë përgatitje për javën e ardhshme dhe ndonjëherë jam optimist se do të ketë përparim. Njerëzve përnjëmend u duhet ky përparim, ngase krejt kjo ka zgjatur tepër”, ka theksuar Hill, ka shkruar “Danas”.

Ndërkaq, Hilli e ka quajtur “një prej marrëveshjeve më të pazakonta” që ka lexuar ndonjëherë, atë të Washingtonit nga viti 2020.

“S’isha në ceremoni, por e kam lexuar. Koncepti që shpiu tek ajo ishte ‘hajde të fokusohemi në ekonomi’. Dhe që njerëzit do të jetojnë bashkë, prandaj të shohim çfarë mund të bëjmë. Mendoj se shpirti i asaj marrëveshjeje është i pranishëm në bisedimet aktuale, por nuk do të doja të përfshihem në çështjet logjistike, se cilat marrëveshje do të arrihen. Mendoj se koncepti që njerëzit të jetojnë bashkë, që të kenë bashkekzistencë ekonomike dhe që të zgjidhin çështjet politike është aty, prandaj shpirti i Marrëveshjes së Washingtonit është i pranishëm”, ka deklaruar ai, duke shtuar se SHBA-ja duhet të jetë më e përfshirë në rajon, porse jo që ta rivalizojë Bashkimin Evropian.

Hilli është shprehur optimist për takimin e ardhshëm midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel. Ai po ashtu ka kundërshtuar tezën se ka ngjashmëri midis luftës në Ukrainë dhe asaj në Kosovë. Për bombardimet e NATO-s të vitit 1999 në Kosovë, Hilli ka theksuar se serbët duhet që ta kujtojnë se “kush e udhëhiqte Serbinë atë kohë dhe çfarë u kishte bërë ai person kombeve të tjera në Ballkan”.