Arbëri

KEK-u planifikon të shesë thëngjill, Maqedonia e interesuar

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka njoftuar se kjo korporatë do të publikojë një tender për shitje të thëngjillit.

I ftuar në emisionin 60 Minuta në KTV të mërkurën, Krasniqi ka thënë se udhëheqësit e Korporatës Energjetike të Maqedonisë së Veriut kanë shprehur interes për blerje të thëngjillit dhe kjo do të ndikojë që KEK-u të rrisë të hyrat e korporatës.

“Kemi diskutuar me udhëheqësit e korporatës energjetike të Maqedonisë së Veriut për mundësinë e shkëmbimit mes thëngjillit dhe energjisë elektrike, por për momentin nuk është se kemi parë shumë mundësi për ta bërë këtë shkëmbim sepse edhe ata kanë kërkesa të mëdha të energjisë elektrike, por këto biseda do të vazhdojnë dhe në të ardhmen mund ta arrijmë një gjë të tillë. Ajo çfarë jemi pajtuar është se do të publikojmë një tender për shitjen e thëngjillit dhe ata kanë shprehur interes që të vijnë dhe të blejnë thëngjill nga ne dhe kjo do të ndikojë që ne të rrisim të hyrat e korporatës”, ka thënë ai.

Image

Ai ka shtuar se kriteret e tenderit janë përcaktuar, por që më pas tregu tregon se çfarë do të jetë çmimi i shitjes së atij thëngjilli.

“Ne do të thotë në kuptim të shkëmbimit nuk është se kemi bërë ndonjë marrëveshje sepse edhe ata për momentin nuk kanë energji të mjaftueshme”, është shprehur ai.

Krasniqi ka njoftuar se qysh nga periudha e pranverës, Kosova ka depozituar teprica të energjisë elektrike në Shqipëri. Rreth 110 MW/h, është sasia e depozituar në KESH, e që sipas tij, do t’i kthehet Kosovës gjatë dimrit.

“Qysh nga periudha e pranverës kur ka filluar të bjerë konsumi, vazhdimisht një pjesë të tepricave i kemi depozituar në Shqipëri. Edhe pse kemi një marrëveshje të mëhershme qysh nga viti 2018, tani e kemi bërë edhe një aneks të marrëveshjes dhe aty kemi precizuar se të gjitha tepricat që i depozitojmë në kesh gjatë kësaj periudhe, do të na kthehen gjatë periudhës prej nëntorit deri në mars. Deri në momentin që po flasim, kemi diku rreth mbi 110 MW/h që e kemi depozituar në KESH e që do të na kthehet gjatë periudhës dimërore”, ka thënë ai.

Sa i përket eksportit të thëngjillit, Krasniqi ka thënë se KEK-u nuk është i përgatitur për eksport të sasive të mëdha. Ka mohuar raportimet se ka pasur kërkesë nga Serbia për thëngjill.

“Pajisjet tona dhe e gjithë infrastruktura nuk është e përgatitur për eksport të sasive të mëdha të thëngjillit, por kërkesa ekziston në treg për shkak të krizës energjetike botërore. Te ne si korporatë nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga askush nga Serbia që të kërkojë thëngjill”, ka thënë ai.