Arbëri

Petkoviq akuzon se Kosova nuk do dialog, por konflikt

Descriptive Text

Drejtori i të ashtuquajturëz Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se drejtuesit e Kosovës nuk janë të interesuar për dialog por duan vetëm konflikte.

Petkoviq këto i ka thënë në një takim me zëvendëskryetarin të Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e jashtme të Gjermanisë, Jergens Frederik.

“Është e qartë se autoritetet e institucioneve të përkohshme të Prishtinës nuk duan dialog, por duan vetëm konflikte. Që nga fillimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve, Beogradi ka qenë i përkushtuar për dialog si mjet i vetëm për zgjidhjen paqësore të gjitha çështjeve të hapura. Por, Prishtina me këmbëngulje po bën lëvizje që paraprakisht dihet se mund të kenë pasoja katastrofale për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin. Prandaj shpresoj që dialogu i ardhshëm të merret shumë seriozisht nga Prishtina si hapësirë për zgjidhje diplomatike të problemeve në terren, e jo si terren për shantazhe”, ka thënë Petkoviq, ka njoftuar e ashtuquajtura Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Petkoviq ka shtuar se me veprimet e fundit të Kosovës për të marrë vendime për reciprocitet të letërnjoftimeve dhe largim të targave ilegale, dialogu është kthyer tri hapa prapa.

Po ashtu ka akuzuar Kosovën se po e politizon çështjen e të pagjeturve.

Po ashtu gjatë takimit Petkoviq e ka përmendur edhe Asociacionin. Ka thënë se fakti se Kosova nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin tregon se nuk interesohet për të drejtat e serbëve.