Arbëri

Rritet numri i nëpunësve shëndetësorë që braktisin spitalet publike për ato private

Reparti i Neonatologjisë e ai i Radiologjisë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj ka mbetur pa kujdestari, si pasojë e mungesës së stafit shëndetësor. Ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë spital, ka konfirmuar se përveç në këto reparte, mungesë të stafit adekuat ka edhe në reparte të tjera.

“Mungesë kemi këtu, biokimist s’kemi hiq, neonatologë kemi 2, që e mbajnë vetëm shërbimin e paradites. Kemi mungesë të gjinekologëve, të anesteziologëve që nuk kemi mjaftueshëm. Kemi 3 radiologë, të cilët nuk po munden që t’i mbulojnë të gjitha shërbimet. Nuk po mundemi që ta realizojmë shërbimin 24-orësh në radiologji”, tha Isa Berisha, drejtori i Spitalit në Ferizaj.

Nga Oda e Mjekëve është njoftuar se krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, sivjet është dyfishuar numri i mjekëve që kanë braktisur vendet e tyre të punës në institucionet publike, për t’i zgjedhur ato në spitalet private, apo largimin jashtë vendit.

“Në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar kemi lëshuar afërsisht 70 certifikata të së kaluarës etike, derisa sivjet, në po atë periudhë, kemi lëshuar diku 130 deri në 140 certifikata të së kaluarës etike. Kjo do të thotë që këta kolegë janë potencial për t’u larguar jashtë vendit”, tha Rrezart Halili nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Me gjithë shifrat, ministri i Shëndetësisë insiston se Kosova ka aktualisht staf të mjaftueshëm shëndetësor.

“Alarmimi është i drejtë, edhe unë jam i alarmuar vetëm nëse një mjek na del. Por për ta thënë të drejtën, ne kemi mjaft. Na duhet që ta shtojmë efikasitetin. Na që të shtojmë ekspertizën tonë dhe në këtë mënyrë mund ta ndërtojmë shëndetësinë që mund ta kemi e që është me standarde të njëjta ndërkombëtare”, tha ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me numrin e stafit shëndetësor që ka lëshuar vendet e punës brenda vitit dhe nëse ndonjë repart rrezikohet që të mbetet jofunksional shkaku i mungesës në staf.

Ditë më parë, pak orë para se të dorëhiqej ish-drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar për një krizë serioze nga mungesa e stafit shëndetësor.