Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka treguar se furnizuesi i energjisë elektrike ka paraqitur kërkesë zyrtare pranë këtij institucioni për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, meqë Qeveria e Kosovës nuk ka realizuar subvencionimin siç ishte zotuar në fillim të vitit.
Sipas komunikatës së ZRRE-së të premten, një kërkesë e tillë është bërë pas trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.
“FSHU, kërkesën e tij e mbështetë në operimin nën kosto, si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatë.
ZRRE-ja ka konfirmuar se brenda 20 ditëve punë presin arsyetim nga FSHU-ja për këtë kërkesë, dhe se e njëjta do të shqyrtohet dhe pastaj do të hapet shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët.
“Pas pranimit të arsyeshmërisë së detajuar, ZRRE-ja do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike”, vijon komunikata.
Qeveria u zotua për subvencionim miliona euro për energjinë elektrike pasi çmimet u rritën në fillim të këtij viti.