Arbëri

SHSKUK-ja kërkon nga MSH-ja të shtojë numrin e infermierëve

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se të mërkurën do të bëjë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë për shtimin e kapaciteteve infermierore, si përgatitje për një valë potenciale të re të COVID-19.

Sipas tij, situata në vend aktualisht është e qetë dhe numri i të shtrirëve në spitale e klinikat e QKUK-së, si pasojë e COVID-19, sillet rreth 40.

Deklaratën Krasniqi e ka dhënë pas takimit me drejtorët e spitaleve të përgjithshme, ku kërkoi përgatitje për valën e re potenciale.

“Qëllimi i takimi ishte rishikimi i planeve tona. Të rishikojmë infrastrukturën, pajisjet mbrojtëse për personel shëndetësor dhe material shpenzues dhe shtimin e stafit infermier. Ne do të vazhdojmë me ofrimin e shërbimeve sepse numri i pacientëve në klinika nuk është i madh. Ne kemi takime dhe përgatitemi që çdo pacient të ketë mundësi për trajtim të nevojshëm. Ka mungesa sidomos te anesteziologët, pulmologët. Ka mungesa në QKUK. Pjesën më të madhe e kemi te stafi infermier. Sot edhe zyrtarisht po bëjmë përpjekje për staf shtesë të infermierëve”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.

Dhjetëra Infermierëve të angazhuar me kontrata të përkohshme gjatë pandemisë u është ndërprerë marrëdhënia e punës nga data 15 qershor. Nëpërmjet protestave ata kanë kërkuar vazhdimin e kontratave. Nëse do të mbeten pa punë, ata kanë thënë se alternativë u mbetet braktisja e vendit. Pas ankesave të këtyre të punësuarve të përkohshëm, Ministria e Shëndetësisë pati njoftuar se kontratat nuk ishin shkëputur, por kishin përfunduar dhe se nuk do të vazhdoheshin më. /EO