2 perditesime
14:22

S’ka kuorum për votimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë

Nuk ka pasur kuorum për shqyrtimin e parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Opozita e ka kundërshtuar këtë projektligj, ndërkaq kryetari i Kuvendit ka abstenuar. Në Kuvend ishin 61 deputetë, ndërkaq kanë votuar 45 pro.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përmendur rekomandimet e Komisionit të Venecias për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Raportuesit kanë përmendur faktin që janë fokusuar në fushat që duhet ndryshuar.

Ajo ka thënë se në opinionin e Komisionit të Venecias thuhet se futja e konfiskimit civil pa dënim, është menduar të jetë masë e rëndësishme për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit e cila konsiderohet e nevojshme nga autoritetet në rrethanat aktuale në Kosovë.

“Secili rekomandim të adresohet në Komisionin për legjislacion dhe ne jemi të gatshëm t’i shterim debatet. Shpreh zotimin tim që jemi të pajtimit me rekomandimet që ka dhënë komisioni i Venecias dhe jemi të gatshëm t’i adresojmë të gjitha”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se qasja është e gabuar kur e lexojnë projektligjin subjektivisht.

“Ju ftoj ta lexoni objektivisht atë jo t’i mendoni personat që mund të jenë subjekt i këtij ligji. Kjo ju pengon juve. Roli i Komisioni të Venecias është t’u dërgojë këshilla vendeve anëtare. Është hera e parë që një qeveri për ligjet e natyrës së ndjeshme konsultohet me Komisionin e Venecias. Në të kaluarën nuk ka pasur situata të tilla. Sot merrni secilin ligj që është në fuqi zgjidheni cilin dëshironi, nëse e dërgojmë në Komisionin e Venecias ka me gjet shumë vërejtje dhe do të japë shumë rekomandime sepse ky është roli i tyre. Fjalët apo akuzat se po bëhet për hakmarrje”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se krejt çfarë bën ky projektligj e amniston krimin dhe ushtron pushtet mbi qytetarët e lirë.

Sipas saj, PDK-ja e kupton qëllimin me të cilin e kanë sjellë këtë projektligj.

Ajo ka thënë se e kanë mirëpritur çdo hap për ndëshkim të krimit e korrupsionit.

“Prandaj që në fillim do të habitesha që do të kishte në sallë deputetë që do të ishin kundër ligjit që pretendon. Prandaj PDK-ja ua heq dilemën qytetarë të Kosovës se jemi për përgjegjësi dhe llogaridhënie për secilin cent. Ne jemi për përgjegjësi për llogaridhënie të secilit që ka përfituar jashtëligjshëm sepse ky është vullneti i qytetarëve por qeveria me këtë projektligj ka dalë kundër këtij vullneti. Ky projektligj është antikushtetues në tri pika. Në rrafshin parimor është antidemokratik, në rrafshin ligjor është antikushtetues, në rrafshin strukturor është anti-ligjor. Në këtë projektligj jemi të bindur që formohet një byro politike përmes së cilës përcillen militantë, amnistohen kriminelët e korruptuarit”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Komisioni i Venecias ka nxjerrë tri rekomandime përfundimtare, duke shtuar se projektligji shkel të drejtat e njeriut, politizon byronë dhe nuk krijon mekanizëm më efikas për luftimin e korrupsionit. Sipas saj, projektligji do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse kjo Qeveri ka ide fisnike për këtë byro, duke e ditur mendësinë ballkanase një qeveri tjetër nëse jo ju, ka me shfrytëzu si mekanizëm të persekutimit politik dhe publik sepse i ka të gjitha mundësitë që të abuzojë. Ministria e ka mundësinë që ta marrë dhe rishkruajë edhe njëherë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, ka thënë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se çështja që po flasin kërkon diskutim më të qetë.

“Po është e vërtetë që e kemi diskutuar këtë propozim në negociatat me VV-në. Pse ka nisur kjo ide duke nisur nga disa premisa meqë kemi një sistem që është i çakorduar, inteligjencën financiar agjencinë kundër korrupsion, prokurorinë, policinë, taskforcën dhe rastet kanë humbur në sistem qoftë qëllimshëm apo pa qëllimshëm. Atëherë kemi menduar si ta zgjidhim. Zgjidhja sipas nesh ka qenë byroja shtetërore e hetimit por jo krijimi i një institucioni që u mbivendoset institucioneve ligjore”, ka thënë ai.

Seanca ka përfunduar.

11:10

Aliu: Ka tendencë të vazhdohen keqpërdorimet në Ministrinë e Infrastrukturës

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se çdo raport i auditimit është i mirëseardhur.

Sipas tij, parregullsitë brenda ministrisë ka pasur jashtëzakonisht shumë dhe dukuria e tillë ka tendencë të vazhdojë edhe më tej, por thotë se po mundohen të jenë sa më vigjilent.

“Kemi krijuar edhe komisione të tjera për shqyrtim të projekteve specifike pikërisht për këto parregullsi. Për shkak se ajo që e shohim nga e kaluara, nga ajo qe kemi trashëguar nga ju, nuk ka të bëjë me institucione e me shtet ndërtim.. e jona është të vendosim rend. Thatë që nuk po distancohemi, në momentin që hetimet të përcaktojnë konkretisht orientimin patjetër që do të marrim masa, absolutisht për secilin zyrtar”, ka thënë ai.

Nuk pati kuorum për t’i votuar as amendamentet e Projekt-kodit të Procedurës Penale. Në votim morën pjesë vetëm 52 deputetë edhe pse në sallë janë mbi 70 deputetë. Opozita nuk mori pjesë në votim.

Njëjtë nuk pati kuorum as për amendamentet e Projektligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, as për amendamentet e Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, e as për amendamentet e Projektligjit për Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me kabinetin qeveritar kanë mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e mjekut nga Gjakova, Ali Iljazi.

Image
10:55

Deliu: Prokuroria t’i hetojë kontratat e dyshimta në Ministri të Infrastrukturës

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka ngritur shqetësimin për parregullsitë që auditori i ka gjetur në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ajo ka thënë se 3 muaj më parë PDK-ja kishte ngehur shqetësimin për disa kontrata në këtë ministri disa nga to një burimore.

Deliu ka thënë se këto janë konfirmuar nga ZKA-ja.

“PDK-ja fton prokurorinë që t’i hetojë dhe zbardhë të vërtetat. Një raport i kualifikuar nga ZKA-ja është bazë për hetime dhe për kryeministrin që ta shkarkojë ministrin Aliu”, ka thënë ajo. “Pse nuk e keni shkarkuar askënd për këto parregullsi që thatë se vetë keni iniciuar auditim? Pse nuk jeni distancuar asnjëherë nga zëvendësministri Durmishi i cili ka deklaruar se ka lidhje miqësore me disa kompani që ju i keni shpërblyer me kontrata milionëshe?”, ka pyetur ajo.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se dyshimet për parregullsi i kanë marrë nga ankesat e operatorëve.

“Ky raport ka tregu që ka parregullsi dhe ne e marrim seriozisht dhe e ftojmë ne prokurorinë. Është pikërisht ky raport i auditimit që është iniciuar që është ndalë ai proces dhe ky ka prodhuar edhe atë serinë e sulmeve serike mediatike kundër nesh”, ka thënë ai.