Arbëri

Serbët i kërkojnë Kurtit ta mbajë premtimin për dialog të brendshëm

Zyrtarët serbë kanë përmendur sërish luftën pas vendimit të Qeverisë për reciprocitet në letërnjoftime dhe largim të targave ilegale serbe. Por analistë nga veriu i Kosovës e kanë vlerësuar të drejtë vendimin e Ekzekutivit, por ia kanë rikujtuar kryeministrit Kurti dialogun dhe bashkëpunimin e premtuar me ta e që ende nuk është parë në terren

Serbia vazhdon të dramatizojë duke përmendur edhe luftën me Kosovën, pas vendimit të Qeverisë për reciprocitet në dokumente identifikimi dhe për zëvendësim të targave ilegale serbe me ato RKS.

Me vendimin e miratuar javën e kaluar Qeveria synon t’u japë fund targave, të cilat janë lëshuar nga Serbia nëpërmjet strukturave paralele.

Kryeministri Albin Kurti përmes një video-adresimi në gjuhën serbe i informoi serbët për veprimet që duhen ndërmarrë në zbatim të vendimit. Por në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë treguar nëse Kurti ka biseduar me përfaqësues të serbëve lidhur me vendimin, apo nëse planifikon që personalisht t’i takojë serbët në veri.

Analisti Branislav Kërstiq e vlerëson të drejtë vendimin e Qeverisë dhe thotë se serbët e veriut abstenuan nga negociatat lidhur me këtë çështje.

“Fatkeqësisht serbët nga veriu i Kosovës nuk morën pjesë në procesin e negociatave. Lista Serbe i dha dorë të lirë pushtetit në Beograd, që do të thotë se për të ardhmen dhe statusin e serbëve në shtetin e Kosovës vendos kabineti i Aleksandar Vuçiqit. Nga ana tjetër, është e qartë se Qeveria e Kosovës ka mandat të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, në këtë rast marrëveshjet nga Brukseli”, ka thënë ai.

Kurti pati paralajmëruar edhe më herët inicimin e një dialogu me serbët e Kosovës, i cili do t’i paraprinte atij që po zhvillohet në Bruksel. Por Kërstiqi thotë se ky dialog e bashkëpunim nuk është parë deri tash, as në rastin e vendosjes së reciprocitetit.

“Kryeministri Kurti u premtoi serbëve të Kosovës se do të bisedojë me ta, sepse Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e komunitetit serb, por i shërben regjimit në Beograd me të cilin pajtohem unë dhe shumica e serbëve në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, për fat të keq, nuk ka krijuar një bashkëpunim domethënës me serbët”, ka theksuar Kërstiqi. “Kurti duhet ta bëjë këtë sepse është kryeministër edhe për ata qytetarë të Kosovës. Ndryshe do të vazhdojë të rezultojë ajo se pushtetit në Beograd i interesojnë vetëm votat e serbëve nga Kosova, ndërsa pushtetit të Prishtinës i intereson vetëm territori e jo populli që jeton atje”.

Ndërkaq në sinkron me presidentin e Serbisë, edhe drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se implementimi i vendimeve nga Qeveria e Kosovës është shpallje e luftës.

“Kurti dëshiron ta çojë popullin serb në luftë. Dikush po e lë Kurtin të sillet në atë mënyrë që të krijojë një krizë serioze që mund të kërcënojë paqen dhe stabilitetin. Po rrëshqasim drejt një krize serioze, sepse Kurti po paralajmëron sulm të madh ndaj serbëve për fund të shtatorit e fillim të tetorit. I bëj thirrje komunitetit që ta marrë për zemër dhe të bëjë presion mbi Prishtinën. Mund ta bëjë këtë dhe ne e kemi parë”, ka theksuar Petkoviq.

Më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përdorur deklarata luftënxitëse. Pas vendimit të Qeverisë ai ka thënë se “Serbia do të përgjigjet me goditje vdekjeprurëse”.

Në mbledhjen e javës së shkuar Qeveria Kurti vendosi ta aplikojë të njëjtën masë, sikur Beogradi zyrtar, që nuk pranon letërnjoftimin e pasaportën, por në hyrje kosovarët i pajis me një letër që zëvendëson dokumentet e identifikimit. Po ashtu pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që përbëjnë shkurtesa të qyteteve të Kosovës, nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022 u është mundësuar regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

Sipas Qeverisë, pronarët e veturave mund ta bëjnë ndryshimin e targave gjatë periudhës dymujore, nga 1 gushti deri më 30 shtator.

“Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Gjatë regjistrimit të parë nuk do kërkohet kontrolli teknik, kurse komunat mund të vendosin të mos kërkojnë pagesën prej 10 eurove në bazë të taksës komunale.

Vendimin e Qeverisë e ka cilësuar të drejtë Bashkimi Evropian. Zëdhënësi Peter Stano ka thënë se Brukseli ishte informuar, por nuk ishte konsultuar në lidhje me planet e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës.

“Sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes të vitit 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë që gradualisht t’i heqë targat KM. Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova”, ka theksuar Stano.

Sipas tij, e rëndësishme është që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, dhe i njëjti zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Qeveria vendosi reciprocitet edhe për targa të veturave vitin e kaluar, pas të cilit vendim serbët me mjete të rënda dhe trupat e tyre bllokuan për dy javë rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Ato u zhbllokuan pas një ujdie që Kosova dhe Serbia mbërritën në Bruksel. Bazuar në marrëveshjen e përkohshme, veturat me targa të Serbisë që futen në Kosovë duhet të mbulojnë simbolin shtetëror, njëjtë siç veprohet edhe me veturat që kanë targa RKS kur futen në Serbi.

Para se Qeveria ta marrë vendimin për letërnjoftimet dhe targat, palët dështuan ta gjejnë një zgjidhje të përhershme për targat në Bruksel, brenda afatit gjashtëmujor, siç kërkonte marrëveshja e përkohshme.