Arbëri

Rama bën thirrje nga samiti i NATO-s që Kosova të ftohet në Partneritetin për Paqe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar që Kosova të ftohet në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.

Në samitin e NATO-s, të mërkurën, Rama tha se shtetet që nuk e njohin Kosovën, duhet ta vlerësojnë qëndrimin e saj krah Bashkimit Evropian lidhur me luftën në Ukrainë.

“Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën - pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, ka shkruar ai në Twitter.

Gjatë vizitës së tij në Ukrainë më 15 qershor, Rama pati kërkuar njohjen e Kosovës nga Kievi zyrtar. Ai pati përmendur qëndrimin kundër të Ukrainës gjatë luftës në Kosovë dhe mbështetjen që sot po i bën Kosova asaj.

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Sipas NATO-s, ky program ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë mes partnerëve dhe aleancës.