Është shqetësuese që komunat e Kosovës që udhëhiqen nga opozita janë duke u neglizhuar dhe penalizuar nga ana e pushtetit dhe Qeverisë Kurti, ka thënë të hënën kryetari I Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Në vizitën e zhvilluar në Komunën e Kaçanikut, ku u prit nga kryetari Besim Ilazi, Krasniqi ka thënë se Kaçaniku si komunë për rreth katër vjet nuk ka marrë asnjë projekt nga niveli qendror.
“Unë besoj që Kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndërrojnë këtë qasje. Zgjedhjet kanë përfunduar dhe kryetarët në detyrë janë kryetarë të të gjithë qytetarëve. Prandaj, kjo neglizhencë e tij duhet të marrë fund. Përndryshe, Albin Kurti është duke e mbajtur vetëm një premtim, atë që i ftonte qytetarët të votonin për kandidatët e tij, sepse, nëse fitojnë kandidatët tjerë, ai si Kryeministër nuk do tu ndihmoj. E kjo po shihet qartazi tanimë”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka falënderuar Krasniqi për vizitën dhe mbështetjen në të gjitha projektet që po realizohen.
“Kryetarin Krasniqi e njoftova për sfidat dhe vështirësitë nëpër të cilat po kalon komuna e jonë pas pandemisë. Kryetari Krasniqi na ofroi të gjithë mbështetjen e tij që të shtyjë përpara projektet e komunës tonë, për çka e falënderoj jashtëzakonisht shumë. Komuna jonë, nuk e ka mbështetjen e nivelit qendror. Po hyjmë në vitin e katërt që nuk e kemi asnjë projekt të ri nga niveli qendror dhe tashmë ky është një shqetësim edhe i qytetarëve”, ka thënë Ilazi.