3 perditesime
23:11

Bieber: Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, një nga turpet e BE-së

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber, ka thënë se mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një nga turpet e Bashkimit Evropian.

Bieber ka thënë se bllokimi i Kosovës në këtë aspekt vjen nga ministritë e Brendshme të disa shteteve.

“Bllokada për liberalizmin e vizave nuk është nga Brukseli, nuk vjen nga BE-ja, por po vjen nga shtetet anëtare. Dhe vjen nga ministritë e Brendshme të këtyre shteteve. Pra, nuk vjen nga ministrat e Jashtëm. S’mendoj se ka të bëjë me dialogun me Serbinë; është i bazuar në paragjykime për një kërcënim të migrimit të shqiptarëve të Kosovës, disa stereotipa për krimin e organizuar dhe gjëra të tilla që po e mbajnë procesin pezull, sipas asaj që kuptoj. Dhe është shumë destruktive, por nuk është e lidhur me politikat e BE-së, po është një nga ata shembujt kur shtetet e Bashkimit Evropian e ndalojnë integrimin evropian të rajonit”, ka thënë Bieber në emisionin "Interaktiv” në KTV, të enjten.

Sipas tij, Qeveria Kurti duhet ta zhvendosë komunikimin për vizat nga Brukseli e Berlini, te shtetet të cilat po e bllokojnë procesin.

“Është ironike që Kosova është vendi me qytetarë që shpresojnë më së shumti dhe më proevropianë. E kuptoj se frustrimi mund të shkojë lart dhe mbase është e shëndetshme të rritet pak euroskepticizmi dhe të ulen shpresat në Bashkimin Evropian. Qeveria e Albin Kurtit duhet të këshillohet që ta shtyjë përpara këtë çështje dhe të përfshihet në dialog me vendet që kanë qenë skeptike dhe të angazhohet që t’i lëvizë pozicionet e tyre. Jo të flasë me Brukselin e Berlinin, por të flasë me qeveritë e duhura për këtë çështje dhe të provojë t’i bindë ato që të largohen nga këto qëndrime obstruktive për çështjen e vizave”, është shprehur Bieber.

23:07

Bieber: Nuk janë pjekur kushtet për marrëveshje gjithëpërfshirëse në dialog

Florian Bieber, njohës i çështjeve të Ballkanit, ka thënë se ende nuk janë pjekur kushtet për marrëveshje gjithëpërfshirëse në procesin e dialogut me Serbinë.

Duke folur në “Interaktiv” të KTV-së, të enjten, Bieber ka thënë se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i ka rritur paarsyeshëm pritjet për dialogun.

“Është e natyrshme një mënyrë për ta reklamuar punën dhe ta mbajë pozitën që ka. Do të ishte më e sinqertë të thuhej: ‘ne po provojmë të kemi një kanal të përhershëm të komunikimit dhe një dialog pa pritje të mëdha’. Lajçaku i ka rritur pritjet shumë lart, paarsyeshëm lart, dhe mendoj se do të ishte e udhës që të mbahen pritjet më përtokë dhe të jetë më pragmatik. Koha nuk po duket të jetë pjekur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, fatkeqësisht, dhe duket se do të duhet një qasje tjetër, mbase edhe ndërmjetësues dhe format tjetër i dialogut për të arritur diçka”, ka thënë Bieber.

Ai ka shtuar se formati ekzistues i dialogut nuk mund të sjellë rezultate.

Sipas tij, qëllimi i dialogut në këtë kohë është që të mbajë një linjë komunikimi, por jo që të arrihet diçka e madhe.

“Ky format i dialogut nuk mendoj se sjell rezultate. Mendoj se qëllimi kryesor i dialogut në këtë kohë është të mbajë një linjë komunikimi, por që të arrihet diçka e madhe do të ishte shumë optimiste në këtë kohë. Dhe nuk shoh se çfarë arsye ka Serbia tash që të ecë para për një zgjidhje me Kosovën, që do të nënkuptonte sikurse Gjermania ka insistuar—dhe me të drejtë ka insistuar—njohjen de facto apo de jure të Pavarësisë së Kosovës. Nuk e shoh që Serbia është e përgatitur për këtë. Nuk e shoh që Vuçiqi është i gatshëm për një gjë të tillë dhe nuk shoh çfarë nxitjeje ka për të bërë një gjë të tillë”, është shprehur Bieber.

23:03

Bieber: Bashkëpunimi Rama - Vuçiq nuk është në interes të rajonit

Profesori universitar në Graz të Austrisë, Florian Bieber, ka vlerësuar se bashkëpunimi midis kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është në interes të rajonit.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të enjten, Bieber ka thënë se ky bashkëpunim nuk mund të jetë i shëndoshë, pasi që të dy liderët kanë tendenca autoritare që synojnë dominim rajonal dhe nuk theksohet bashkëpunimi midis palëve të barabarta.

“Kjo më brengos shumë më tepër, seç duket e brengos lidershipin amerikan”, ka thënë ai.

Sipas tij, “Ballkani i hapur” edhe po të bëhej treg rajonal, nuk do t’ia dilte t’i adresonte sfidat me të cilat ballafaqohen shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Bieber ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur Ballkanin Perëndimor poshtë në listën e prioriteteve dhe se nuk ka vëmendje të qëndrueshme dhe të kujdesshme ndaj këtij rajoni.

Sa i përket pozicionit të Qeverisë së Kosovës, që refuzon të bëhet pjesë e kësaj nisme, Bieber ka thënë se i kupton brengat e saj.

“I kuptoj brengat e Qeverisë së Kosovës në lidhje me këtë çështje. Për shkak se kur keni njerëz si Varhelyi, që është njeriu i Orbanit në Komisionin Evropian, dhe presidentin Vuçiq, si avokuesit e fuqishëm të kësaj, plus ministri i Jashtëm Lavrov, që flet pozitivisht për këtë nismë... me miq si këta, njëmend do të duhej brengosur se çfarë ka aty”, ka thënë ai.

22:58

Bieber: Kosova duhet sivjet të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE

Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber, deklaroi se Kosova duhet të aplikojë sivjet për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Ai deklaroi në “Interaktiv” të KTV-së te enjten se ky hap duhet të bëhet sivjet, derisa shtoi se statusi duhet t’i jepet secilit shtet “ashtu që t’ua nisin bisedimeve për anëtarësim sa më shpejt”.

“Për fat të keq nuk ka vullnet politik për këtë punë në BE, porse duhet të shtyjmë para zgjidhje të tjera. Ajo që duhet të ndodhë është reformimi i vetë BE-së, që të ketë më pak druajtje për zgjerimin dhe t’i eliminojë këto fuqitë e vetos gjatë procesit të zgjerimit. Nëse kjo arrihet, atëherë edhe dinamika do të ndryshojë”, tha Bieber.

Sipas tij, iniciativa e presidentit francez, Emanuel Macron, për krijimin e një komuniteti politik evropian është ide e keqe, pasi “ka raport të klasës së dytë dhe injoron faktin se shtetet duan të integrohen më afër”.

“Nuk e besoj se komuniteti politik evropian është zgjidhja si të shkohet para. Në vend të kësaj, do të kishte më shumë logjikë nëse shtetet brenda BE-së që do të donin të integronin më shumë, të krijonin më shumë marrëveshje, për ta pasur integrim të brendshëm më serioz”, shtoi Bieber.

Sipas profesorit të Universitetit në Graz, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian deri më tani ka qenë i vdekur dhe nuk ka dhënë rezultate.

“Siç e kemi tash – kemi shpejtësi të shumëfishta në Evropë. E kemi Schengenin, e kemi Eurozonën, nuk janë identike me BE-në. Pra do të mund të kishte më shumë integrim të disa anëtarëve të rinj të BE-së, porse nuk do të duhej ta krijonim edhe një grup të jashtëm që as nuk është institucional, e as nuk krijon më shumë kohezion. Më shumë është një trup për një dyqan debati ku do të diskutohen dhe këmbehen idetë. Nuk është e parëndësishme, porse nuk e besoj se do të jetë zgjidhje e pranueshme për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ai.