Arbëri

Gërvalla publikon fjalimin në KS të OKB-së ku u shpreh krenare për luftën e UÇK-së

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj kritikave që ka marrë për mospërmendjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një status të saj në Facebook, për përvjetorin e Ditës së Çlirimit.

Me anë të një videoje të shkëputur nga fjalimi i saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për misionin e UNMIK-ut, përballë ministrit të jashtëm serb, Nikolla Selakoviq dhe përfaqësuesve të vendeve të tjera, përfshirë Rusinë, Gërvalla ka rikujtuar fjalët që ka thënë gjatë këtij fjalimi, ku ka përmendur edhe kontributin e UÇK-së.

“Kontributi im në një debat të përsëritur dhe tendencioz. E vërteta gjithmonë e mund gënjeshtrën, sado e zëshme të jetë kjo e fundit”, ka shkruar Gërvalla krah videos së publikuar.

Kryediplomatja kosovare në KS të OKB-së është shprehur krenare për luftën e UÇK-së për të mbrojtur vendin.

“Duke qenë këtu sot e duke dëgjuar përfaqësuesit e Rusisë duke folur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, më kujton popullin trim të Ukrainës, të cilët janë duke e mbrojtur vendin e tyre. Jam shumë krenare që përfaqësoj sot një shtet nga i cili ushtarë trima, burra e gra pjesëtarë të UÇK-së, kanë mbrojtur popullin e vet, shtëpitë e veta, vendin e tyre”, ka thënë ajo.

Mospërmendja e UÇK-së nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në përvjetorin e Ditës së Çlirimit, ka nxitur një valë tjetër të reagimeve.

Opozita ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministres. Përmes një statusi në Facebook, Gërvalla, megjithëse njohu kontributin e atyre që luftuan për çlirim, përfshirë NATO-n e KFOR-in, askund nuk e përmendi UÇK-në.