2 perditesime
21:02

Nis takimi i “Ballkanit të Hapur” në Ohër, Kosova e vetmja që mungon

Janë takuar pesë përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të samitit të “Ballkanit të Hapur” që po mbahet në Ohër. Kosova është shteti i vetëm nga rajoni që mungon në iniciativën e nisur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut.

Për herë të parë, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina kanë marrë pjesë në “Ballkanin e Hapur”.

Fotografinë e pesë liderëve e ka postuar në Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

19:03

Vuçiqi nga Ohri: “Ballkani i Hapur” iniciativë shumë e mirë, gjitha vendet të mirëpritura

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk e ka problem të flas me palën kosovare për “Ballkanin e Hapur”. Vuçiq gjendet në Ohër për të marrë pjesë në Samitin e “Ballkanit të Hapur”.

“Sa i përket dëshirës të kujtdo për të hyrë në Ballkan të Hapur, secili është i mirëseardhur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Ka një dialog që merret me këtë punë, por nëse do të zgjidhësh çështje se a do të ketë më shumë miell për qytetarët, apo rrymë, apo naftë e gaz, atëherë kjo çështje i takon Ballkanit të Hapur”, tha Vuçiq raporton B92. “Nuk e kam problem të flasë me askënd nga Prishtina kudo. Shikoni shkëmbimin tregtar në CEFTA, sot është shumëherë më i madh se në fillim. Kjo sjell përfitime për Ballkanin”.

Vuçiq ka përgëzuar iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.

“Ballkani i Hapur është iniciativa më e mirë që kemi pasur për dekada. Ndryshe nga tjerët, nuk kam pse justifikoj nëse dikush do apo nuk do të hyjë. Nëse do të bashkohet, atëherë bashkohet, nëse jo atëherë jo. Kemi rritje të konsiderueshme në tregti”, tha Vuçiq.

Ai ka treguar për çfarë është diskutuar.

“Diskutuam për të gjitha temat që janë të rëndësishme për publikun në Serbi dhe rajon, për Samitin e ardhshëm më 23”, tha Vuçiq. “Mora një ftesë shtesë nga Borrelli që të marrë pjesë. Në ditët e ardhshme pritet të vazhdojmë bisedimet për çështjen e deklaratës me Prishtinën për persona të pagjetur, e po ashtu edhe për rrugën evropiane të Serbisë, si dhe për të gjitha reformat e nevojshme”, tha Vuçiq.

18:50

Liderët mblidhen në Ohër, Rama e Abazoviq takojnë Hillin

Ka nisur në Ohër mbledhja e liderëve të shteteve që janë pjesë e iniciativës së “Ballkanit të Hapur”. Dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama i Shqipërisë dhe Dritan Abazoviq i Malit të Zi, para takimit me liderët tjerë kanë takuar ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Të martën në Samitin e Ohrit, Abazoviq e fut zyrtarisht Malin e Zi në iniciativën e nisur prej Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Deri tash iniciativa e këtyre tre shteteve refuzohej nga Kosova, Mali i Zi e Bosnja. Sot, edhe Bosnja i është bashkuar, ndërsa Kosova mbetet e vetmja jashtë.

“Në margjinat e ‘Ballkanit të Hapur’, i lumtur që bisedova me kryeministrin Edi Rama dhe ambasadorin Hill. Të gjithë partnerët tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë janë këtu. Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Mali i Zi, si lider në integrim, është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në proces”, ka thënë Abazoviq në Twitter.

“Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër, me kryeministrin, Dritan Abazoviq, i cili sot fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po dhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur”, ka shkruar Rama në Facebook.

Samiti i Ohrit do të nisë në mbrëmje e do të vazhdojë të mërkurën.