Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se është shumë mirë që të hënën nuk ka kaluar Ligji për pagën minimale. Ai ka thënë se me ligjin e punës, Qeveria e Kosovës është e obliguar të bëjë përcaktimin e pagës minimale.
Sipas tij, është dashur të merret propozimi i Këshillit ekonomiko-social për caktimin e pagës minimale.
Qalaj ka thënë se do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike që ky ligj të mos kalojë.
Aktualisht në Kosovë paga minimale është 130-170 euro. Qeveria ka çuar në Kuvend projektligjin që i hap rrugës minimale në vlerë 264 euro, por Kuvendi ka dështuar ta kalojë tutje. Të hënën, ka pasur edhe protesta nga veteranët e luftës të cilët kanë kundërshtuar shkëputjen nga ndërlidhja e pensionit të veteranit me pagën minimale. Shkëputje do të kenë edhe disa kategori të tjera.
Ai ka shtuar se arsyeja pse kanë qenë kundër fillimisht nuk është vetëm kategoria e veteranëve, por ka edhe kategori të tjera siç janë të verbrit, njerëzit të cilët janë të paralizuar.
“Veteranët kanë qenë të zëshëm gjithmonë. Çdo gjë që e kemi sot është duke iu falënderuar veteranëve, dëshmorëve e të rënëve. Është mirë që të sillet një projektligj që bënë ndryshimin e shumë ligjeve. Do të ishte shumë mirë që ky ligj të kthehet mbrapa, të plotësohet, të futet kategoria e veteranëve të luftës, pasi ka qenë premtim”, ka thënë ai.
Qalaj ka thënë se kur qeveritë dëshirojnë që të mos shtyjnë përpara ndonjë çështje atëherë përmendin Fondin Monetar.
Sipas tij, Qeveria duhet të analizojë se si ta menaxhojë këtë vend.
Ai ka thënë se edhe kjo shumë që është propozuar, është shumë simbolike, për shkak edhe të rritjes së çmimeve.
“Ky projektligj duhet të kthehet mbrapa gjithsesi. Është fatkeqësi që të shohim veteranët dhe policët të shtyhen mes vete. Veterani i luftës duhet t’i gëzojë benifitet që i takojnë e pastaj edhe të punojnë e t’i paguajnë kontributet shtetit. Ne kemi thënë se do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike për ta kundërshtuar. Ky ligj nuk do të kalojë assesi. Nuk do të aplikojmë modelet e Vetëvendosjes për të kundërshtuar. Unë shpresoj që të mos vijmë në një situatë të tillë në Parlament. Është në interes të të gjithëve që të mos kemi protesta në rrugë”, ka thënë ai.
Qalaj ka thënë se duhet gjetur një zgjidhje e pranueshme për të gjithë.
Ai ka thënë se në kompaninë e tij nuk ka asnjë person të vetëm që nuk është veteran i vërtetë.
Sipas tij, në të gjitha partitë politike ka veteranë.
“Është keq për Qeverinë që të manipulojë. Ligji për pagën minimale do të tërhiqet, deshi apo nuk deshi Qeveria. Ky projektligj ka kosto, por ka edhe zgjidhje. Shumica prej ligjeve kanë kosto buxhetore. Në këtë kohë krize është normale që institucionet të kërkojnë rritje të pagave. Nëse Vetëvendosja ka premtuar që paga minimale do të jetë 350 euro, atëherë dikush duhet të mbajë barrën tash”, ka thënë ai.
Qalaj ka thënë se përfitimin e 100 eurove të ndara nga Qeveria e kanë pasur bankat komerciale.