Arbëri

AAK-ja kërkon përkrahje për heqjen e nenit për 15 vjet stazh para luftës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta përkrahin nismën ligjore për njohjen e stazhit të punës për pensionistët.

Dreshaj në një konferencë për media të martën, tha se janë pjekur kushtet që “neni diskriminues të largohet dhe t’u kthehet vlera dhe merita brezave që kanë kontribuuar me vite”.

“Bëhet fjalë për kriterin për 15 vite përvojë pune para luftës si kusht që pensionistit t’i njihet pensioni kontributdhënës. Të largohet kriteri diskriminues që kërkohet që pensionisti të ketë 15 vite pune para 99. Dua t’ju rikujtoj se kjo iniciativë nuk është e re, pasi edhe legjislaturat paraprake e kanë pasur. Mosnjohja e stazhit të punës është një padrejtësi e madhe që u është bërë pensionistëve andaj është koha që ketë nismë legjislative ta përkrahin të gjithë. Kemi biseduar dhe kjo nuk është iniciativë e ndarë e grupit të Aleancës. Janë pjekur kushtet që ky nen diskriminues të largohet dhe t’u kthehet vlera dhe meritave brezave që kanë kontribuuar vite të tëra për ditët që i kemi sot”, ka thënë Dreshaj.

Sipas propozimit të AAK-së, kur punëtorët arrijnë moshën 65 vjeç, atëherë duhet të marrin pension për vitet sa kanë kontribuar para luftës, sado që janë, e jo që domosdoshmërisht të jenë së paku 15 vjet.