Arbëri

Ekspertët për cilësinë në arsim: S’mjafton vetëm buxheti, duhen inspektorë për monitorim

Descriptive Text

Buxheti i këtij viti për arsim është 12 për qind më i lartë sesa i vitit paraprak, por nga njohësit e fushës së arsimit kjo rritje po konsiderohet e pamjaftueshme për ngritjen e nivelit të cilësisë në arsim. Ata thonë se mësimdhënësit e Kosovës duhet t’i kenë inspektorët profesionalë, të cilët do t’i vizitojnë në orë dhe do të vlerësonin punën e tyre në mënyrë profesionale.

Për cilësinë e dobët, sipas tyre, ka ndikuar politizimi i skajshëm i sistemit të arsimit. Ata thonë se përveç rritjes së buxhetit duhet që edhe të inspektohen mësimdhënësit.

Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se që 21 vjet në arsim janë bërë eksperimente duke filluar me një projekt dhe duke e ndërprerë në gjysmë për të vazhduar me një tjetër.

“Mësimdhënësit kanë mbetur në mëdyshje ngase janë përgatitur sa kanë mundur për një përvojë të re, është hedhur poshtë ajo, është filluar me diçka tjetër dhe nga paslufta e këndej mësimdhënësit janë stërlodhur me trajnime të cilat i kanë organizuar organizata të ndryshme më shumë për të marrë buxhet nga BE-ja dhe të tjerët se sa që janë kujdesur që mësimdhënësit të pajisen me dije që ju duhet për procesin mësimor”, ka thënë ai.

Duke e cilësuar të domosdoshëm buxhetin për përmirësimin e arsimit në Kosovë, Jasharaj tha se shumë shkolla kanë pasur sukses vetëm me donacione dhe pa ndihmesën e shtetit.

“Buxheti është ndikues, ne në takime me MASHT-in dhe në tryeza e kemi ngritur si çështje që shteti i Kosovës duhet të ndajë më shumë buxhet për t’i plotësuar dhe ndryshuar kushtet e punës në shkollat tona ngase ende vazhdojnë të kenë mjetet e njëjta të shekullit të kaluar. Ka shkolla që kanë ecur para me mjetet e punës jo nga shteti, por nga donacione të tjera, por pjesa më e madhe e zhvillojnë betejën për dije me shkumës dhe shpuzë dhe me tabela, me tekste shkollore të cilat ekspertët e kanë kritikuar, dhe me tekste karshi kurrikulës e cila ka kërkesa të shekullit XXI, prandaj shteti ynë duhet të ndajë më shumë buxhet që shkollat tona të furnizohen me mjete bashkëkohore të teknologjisë, së paku secila klasë ta ketë një laptop dhe një projektor”.

Jasharaj tha se ka kërkuar që mësimdhënësit të inspektohen nga inspektorët profesionalë, të cilët do t’i vizitonin në orë dhe do të vlerësonin punën e tyre në mënyrë profesionale.

“Kur inspektorët e vërejnë që një mësimdhënës e ka gabuar profesionin le të jepet një hapësirë kohore për t’u përmirësuar, nëse ai vazhdon dhe nuk është në nivel të detyrës ne nuk do ta mbrojmë. Për ta ditur situatën në arsim inspektorët duhet të shkojnë në klasë dhe të shohin se si po punon. Asnjëherë nuk jemi të kënaqur me cilësinë por me kushte të tilla mësimdhënësit bëjnë të jashtëzakonshmen”, ka shtuar ai.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin EdGuard, tha se për reforma në arsim përtej buxhetit duhet që të funksionlizohen mekanizmat llogaridhënës dhe të përgjegjësisë, pasi sipas tij ai buxhet nuk mund të kishte ndikim në rritjen e cilësisë në arsim.

“Për reforma në arsim përtej buxhetit ka kuptim vetëm instalimi i mekanizmave llogaridhënës dhe të përgjegjësisë përgjatë gjitha niveleve përfshirë këtu vetë institucionin e MAShTI-të e deri tek institucioni i shkollës. Në të kundërtën i tërë ai buxhet nuk mund të marr trajtë në përfitim të një cilësie më të rritur të arsimit në mungesë të llogaridhënies. Duhet të instalojmë mekanizma të mirëfilltë që na garantojnë këtë të fundit në mënyrë që përfitimi të jetë drejtpërdrejtë për nxënësin dhe studentin pikë së pari”.

Qehaja faktorë kyç në cilësinë e dobët në arsim e ka konsideruar dështimin në zbatim të formave kurrikulare.

“Ka shumë faktorë që ndikojnë në cilësi jo të mirë të arsimit, mirëpo kyçe është një dështim në zbatim të formave kurrikulare, një dështim në zbatim të metodologjive të mësimdhënies të bazuar me kompetencë, tekste shkollore jo të mira dhe mbi të gjitha mungesa e një sistemi të mirëfilltë të llogaridhënies”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, tha se ngrija e buxhetit për arsim është një prej parakushteve shumë të rëndësishme në ngritjen e cilësisë.

“Ngrija e buxhetit për arsim është një prej parakushteve shumë të rëndësishme në ngritjen e cilësisë në fushën e arsimit mirëpo nuk është faktori i vetëm. Ndërhyrja duhet të jetë multidimensionale, e përqendruar në përgatitjen, motivimin, ngritjen e shkathtësive të mësimdhënësve dhe stafit tjetër të involvuar në sistemin e arsimit, pastaj vazhdohet me planprograme që janë në përputhshmëri me kohën, por përgjithësisht ndërhyrja duhet të jetë në infrastrukturë, pastaj të punohet në atë që shkolla të bëhet një mjedis i dashur për nxënësit”, ka thënë ai.

Sipas Osmanit, shkaku pse arsimi është në gjendje të rënduar është si pasojë e politizimit të skajshëm të kësaj fushe.

“Kemi një përgjegjësi nga politikbërësit dhe projektet që financohen nga paraja publike të kenë efektin e dëshiruar për çka edhe janë financuar. Një prej arsyeve pse jemi këtu ku jemi është politizimi i skajshëm i arsimit. Pushtetarët dhe partitë politike që kanë qeverisur në fushën e arsimit aspak nuk janë brengosur për cilësinë e arsimit, ata janë brengosur më tepër se si t’i rehatojnë militantët e vet, fëmijët, kushërirë dhe farefisin. Arsimi mund të themi që është jashtëzakonisht në një gjendje të mjeruar dhe është për të ardhur keq se sa me pak përgjegjësi është punuar dhe është duke u punuar edhe sot që të rinjve tanë të iu ofrojmë arsim cilësor dhe t’i përgatisim ata për tregun e punës por edhe për jetë”. /EO