Avokati i Popullit përmes një opinioni ligjor të premten ka vlerësuar se marrëdhëniet familjare të personave të gjinisë së njëjtë duhet të njihen dhe definohen pa asnjë dallim dhe në mënyrë të njëjtë sikur personat e gjinisë së kundërt.
Sipas Avokatit të Popullit, Projektkodi Civil aktual duhet të definojë qartë se çfarë paraqet “bashkësi e regjistruar civile”.
“Formulimi aktual i Projektkodit Civil për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë, pa e definuar qartë se çfarë paraqet një bashkësi e regjistruar civile dhe duke përcaktuar se kushtet dhe procedura për njohjen e këtyre bashkësive të rregullohen me ligj të veçantë, nuk paraqet zgjidhje dhe nuk i reflekton të drejtat e garantuara me Kushtetutë”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Avokati i Popullit vlerësoi se Kushtetuta e Kosovës, duke mos përcaktuar shprehimisht se e drejta e martesës është e drejtë e “burrit dhe gruas”, nuk paraqet asnjë pengesë për të konstatuar se privimi i personave të gjinisë së njëjtë nga e drejta e martesës, paraqet shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar në bazë të orientimit seksual.
“Avokati i Popullit, në mes tjerash, vlerëson se Projektkodi Civil në kuadër të rregullimit të marrëdhënieve familjare, të përcaktojë shprehimisht njohjen e marrëdhënieve të personave të gjinisë së njëjtë”, thuhet në njoftim.
Projektkodi Civil në shkurt të këtij viti dështoi të miratohej në Kuvend.