Arbëri

Kurti e Osmani dënojnë sulmin në Teksas të SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti kanë shprehur ngushëllimet e tyre për viktimat në një shkollë fillore në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të martën.

Përmes Twitterit, Kurti është shprehur “i tronditur nga brutaliteti i të shtënave në shkollë në Uvalde, Teksas, që mori jetën e fëmijëve dhe të rriturve të pafajshëm”.

“Në këto kohë të vështira, zemrat dhe mendjet tona janë me familjet e viktimave dhe popullin amerikan. Ngushëllimet më të sinqerta nga populli i Kosovës”, ka shkruar Kurti.

E Osmani ka shkruar se “ndihet e shkatërruar nga lajmi për të shtënat në Teksas”.

“Mendimet tona janë me familjet e fëmijëve dhe të rriturve, jetët e të cilëve iu dhanë fund padrejtësisht përpara kohës së tyre. Ne ndajmë dhimbjen e popullit amerikan dhe vajtojmë me miqtë tanë në këtë kohë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Një 18-vjeçar ka shtënë në shkollën fillore “Robb” në qytetin e Uvaldes, duke lënë të vdekur 19 fëmijë dhe dy të rritur, para se të vritej nga forcat policore, kanë konfirmuar zyrtarët shtetërorë.