Arbëri

MF-ja fton për plotësim të formularit për të ardhurat që nuk tatimohen në burim

Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për medie, maj 2022

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qytetarët të cilët gjenerojnë të hyra gjatë vitit që nuk tatimohen në burim, siç ndodhë me pagën, duhet të plotësojnë deklaratën tatimore në të ardhurat personale.

Në një konferencë të mbajtur të hënën, Murati ka thënë se të ardhurat për të cilat nuk paguhet tatim mund të jenë qiraja, shitblerja e paluajtshmërisë, shitblerja e letrave me vlerë, e kriptovalutave, por edhe të ardhurat nga rrjetet sociale, si YouTube.

Ai ka thënë se për të gjitha këto të ardhura personale, për të cilat nuk është paguar tatim deri tani, vlera tatimore llogaritet të jetë rreth 10 për qind.

“Bëhet fjalë për plotësimin e deklaratës në të ardhurat personale, që sipas ligjit duhet të plotësohet nga të gjithë ata që kanë pasur të ardhura gjatë vitit paraprak e për të cilat nuk kanë paguar tatim apo nuk është mbajtur tatimi në burim, nëse ka të ardhura tjera, p.sh nga qiraja apo ndaj një entiteti që nuk e ndal tatimin në burim duhet të e plotësoni këtë formular. E ardhura tjetër është nga fitimi kapital që duhet të tatimohet dhe të deklarohet në këtë deklaratë. Është çdo fitim që është çdo fitim që është gjeneruar nga shitblerja e paluajtshmërisë, shitblerja e letrave me vlerë por edhe të kriptovalutave. Llogaritet të jetë rreth 10 për qind vlera tatimore që obligohet secili ndaj shtetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, tjetër fitim kapital mund të jetë edhe shitja e një prone të trashëguar apo e një prone që nuk i dihet kostoja, për çka përfitimi i kapitalit të saj do të llogaritet 20 për qind.

“Ngjashëm ndodhë edhe me tokat që janë dhënë për banesa. Të ardhura tjera mund të llogariten edhe ato që janë me burim nga jashtë. Çështje tjetër është edhe për të ardhurat nga YouTube, nga video të ndryshme, e që të gjitha këto të ardhura duhet të shënohen. Kjo që po e prezantoj këtu nuk ka të bëjë me ndryshim të ligjit ka qenë por që nuk është plotësuar, ne e kemi bërë më të lehtë procesin e deklarimit”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë deklarim vetëm do të lehtësohet zbatimi i një ligji që ka qenë në fuqi, por nuk është zbatuar deri më tash.

“Kontratat mes palëve nuk rregullohen te ne, por është mirë që të kenë kontratë të shkruar, çka i intereson MF-së e ATK-së është që të paguhet tatimi, por kur ka të bëjë me persona fizikë pra lëshim i banesës, i takon palës që i merr qiraja”, ka sqaruar ai.

Në lidhje me ndarjen e 100 eurove për sektorin privat, Murati ka thënë se komisioni është formuar, afati i aplikimit ka qenë deri javën e kaluar dhe për këtë është dashur të pritet, në mënyrë që komisioni të fillojë punën. Ai beson që shumë shpejt edhe do të kryhen pagesat.