Arbëri

ZRRE-ja pranon vendimin e Apelit, rryma s’faturohet me tarifa të shtrenjta

ZRRE-ja do të apelojë pezullimin e tarifave të reja nga Themelorja

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullimin e vendimit për vendosjen e tarifave të reja të energjisë elektrike. Si rrjedhojë, faturat e reja do të vijnë me tarifa të vjetra, para se të shtrenjtoheshin në shkurt.

Apeli të mërkurën vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore. Përderisa vendimi atëkohë ishte shpërfillur, ZRRE-ja ka vendosur ta respektojë vendimin e Apelit.

“ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses. Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së të premten.

Pas krizës energjetike botërore, në shkurt ZRRE-ja pati vendosur një bllok tarifë me të cilën shtrenjtohej rryma që kalonte 800megavatëshin. Qeveria pati ndarë mbi 100 milionë euro për të ndihmuar në kalimin e krizës.