Arbëri

Dyshime për helmim të nxënësve nga Prishtina në ekskursionin në Mitrovicë

Më shumë se 10 nxënës të klasës së nëntë të një shkolle të Prishtinës dyshohen se janë helmuar nga ushqimi në ekskursion në Mitrovicë. Ata po trajtohen në Spitalin e Mitrovicës dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ka konfirmuar për KOHËN drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi.

“Rreth 11-12 nxënës kemi pranuar në Spital. Kemi dyshuar që janë më shumë. Disa i kanë kryer infuzionet dhe janë liruar, ndërsa të tjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një restorant në Mitrovicë”, ka thënë ajo.

Të pranishëm në Spitalin e Mitrovicës janë edhe zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, të cilën janë duke bërë marrjen e mostrave për të gjetur shkaktarin e helmimit.

Ndonëse disa shkolla kanë shfrytëzuar të premten për ekskursion, në shumicën e shkollave në vend nuk është mbajtur procesi mësimor për shkak të protestës nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK).