Arbëri

Arrestohen dy policë në Shqipëri për korrupsion me pasaporta të kosovarëve

Dy zyrtarë policorë në Shqipëri janë arrestuar, ndërsa katër të tjerë janë në hetim në gjendje të lirë për korrupsion me pasaportat shqiptare të shtetasve nga Kosova që kanë fituar shtetësinë e Shqipërisë.

Denoncimi i katër shtetasve nga Kosova, ka vënë në lëvizje prokurorinë e Tiranës e cila ka hetuar punonjësit e Policisë për mitmarrje apo ryshfet nga vlera prej 50 -200 euro. Tashmë në Gjykatën e Tiranës është depozituar kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy funksionarëve të Policisë, ndërsa katër prej tyre janë nën hetim në gjendje të lirë dhe pritet që këto hetime të zgjerohen.

Në bazë të ligjeve në fuqi në Shqipëri, pasaporta shqiptare apo shtetësia me natyralizim merret pa ndonjë tarifë teksa tërhiqet pasaporta shqiptare e miratuar me dekretin e presidentit. Shtetasi që merr pasaportën vetëm vendos një firmë dhe i merren shenjat e gishtërinjve, para se pasaporta të bëhet pronë e tij.

Por, zyrtarët policorë në Tiranë i kanë zvarritur shtetasit nga Kosova me justifikimet se “pasaporta nuk ka dalë”, “duhet të vish sërish javën e ardhshme”, “pasaporta nuk është gati” etj. Me këto forma presioni, atyre u kërkohej në mënyrë jo zyrtare dhe jo të ligjshme para nga 50-200 euro ku kjo tarifë në disa raste është paguar edhe në ambientet e brendshme të Policisë së shtetit, ku kamerat e sigurisë kanë filmuar këtë skemë.

Nga hetimet e prokurorit, Bledar Valikaj, është dokumentuar me prova pamje filmike e përgjime se si merreshin paratë. Mes të dyshuarve ka edhe zyrtarë në drejtorinë e policisë në Tiranë.

Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për 2 funksionarë të Policisë dhe për 4 efektivë është kërkuar pezullimi nga detyra, ndërsa hetimi vazhdon për dokumentin e plotë të gjithë skemës korruptive.

Me 29 korrik të vitit 2020, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin: ” Për shtetësinë”. Shtetësia shqiptare në bazë të ligjit nr. 113/2020 fitohet me lindje, origjinë, lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë, natyralizim dhe birësim. Shtetasit nga Kosova e kanë fituar shtetësinë shqiptare kryesisht në sajë të origjinës dhe natyralizimit. Fitimi i shtetësisë me origjinë ndodh kur i huaji (në rastin konkret shtetas nga Kosova), nga të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë deri në tri shkallë te kërkuesit me të paralindurin. Ndërsa shtetësia shqiptare me natyralizim fitohet nga i huaji (në rastin konkret shtetas nga Kosova) që ka paraqitur kërkesë dhe plotëson kushtet e mëposhtme: a) ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç; b) ka zotësi juridike për të vepruar; c) qëndron në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 7 (shtatë) vjet në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka përfituar leje të përhershme qëndrimi, të vlefshme në momentin e paraqitjes së kërkesës, sipas ligjit për të huajt; ç) ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë; d) disponon të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë, që përkojnë me standardin minimal të jetesës, të indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të parashikuar në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore; dh) nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike; e) zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, të vërtetuar nga institucioni përkatës arsimor, si dhe njohuritë bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë; ë) nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë .I huaji (në rastin konkret shtetas nga Kosova), që është i martuar me shtetas/e shqiptar/e për një periudhë prej jo më pak se tre vjetësh, mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim, edhe nëse nuk plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për një vit.