Arbëri

Surroi: Nëpërmjet industrisë së naftës, Serbia e bleu veton ruse kundër Kosovës

Descriptive Text

Publicisti Veton Surroi ka thënë se Serbia e ka blerë veton ruse në Këshill të Sigurimit kundër pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet industrisë së naftës që për pak para ia ka shitur këtij shteti.

Në një intervistë në DESKUN e KTV-së, ai ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka afat nga Perëndimi vetëm edhe këtë javë për ta vendosur mënyrën e adresimit të pronësisë së kësaj industrie, që aktualisht është në duart e rusëve.

“Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia ia shiti industrinë e vet të naftës për pak para Rusisë, si kundërshpërblim për veton e Rusisë në Këshill të Sigurimit rreth pavarësisë së Kosovës. Edhe e ka blerë veton në Këshill të Sigurimit, edhe e mban atë veto, me industrinë e naftës së Serbisë. T’ju përkujtoj: industria e naftës së Serbisë e kishte trashëguar nga ish-Jugosllavia të drejtën e eksplorimit të naftës në dy vende, në Angola, në Afrikë dhe këto dy puse janë të mjaftueshëm për të mbajtur me naftë jo vetëm Serbinë, por tërë regjionin dhe këto ia shiti Rusisë për pak para”, ka thënë Surroi.

Intervista e plotë transmetohet sonte nga ora 20:10 në KTV dhe TV Arta, dhe në të Surroi flet për konfliktin e papërmbyllur me Serbinë, për çështje rajonale, eurointegrimin dhe për peshën që ka aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.