Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në darkën jozyrtare të së mërkurës në Berlin, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ka mbrojtur interesat shtetërore, duke vënë përpara kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.
Në konferencën e përbashkët me ministren gjermane të Mbrojtjes, Cristine Lambrecht, të enjten në prishtinë, Kurti ka thënë se në darkë nuk ka pasur gjellë të ndryshme, duke aluduar se në tavolinë palët kanë qenë të barabarta.
“Unë edhe mbrëmë kam përfaqësuar vullnetin e popullit, kam mbrojtur interesat e shtetit gjithnjë duke e pasur për dysheme dhe tavan kushtetutshmërinë dhe ligjin e Kosovës. Pavarësisht ka darkë apo jo, pavarësisht çfarë darke është, unë i tillë jam dhe kështu ndjehem. Nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk jemi për një dialog pa parime, e parim është barazia e palëve. Në atë darkë nuk k pasur gjellë të ndryshme”, ka thënë Kurti.
Ai njoftoi se në këtë takim jozyrtar është diskutuar për takimin e 13 majit midis palëve kosovare dhe serbe në Bruksel, ku do të diskutohet për marrëveshjen e përhershme sa u përket targave të automjeteve dhe për çështjen e mospagesës së rrymës në veri të Kosovës.
“I kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit të zëvendësit tim z.Besnik Bislimi dhe z. Petkoviq nga ana tjetër. Më 13 maj shpresoj t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhje reciproke sa u përket targave të automjeteve, edhe sa i përket çështjes së mospagesës së energjisë në veri të Kosovës edhe sa i përket fatit të të pagjeturve në luftë. Darka e mbrëmshme ishte darkë pune e organizuar nga kancelari Scholz”, ka thënë Kurti.
I dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka publikuar të mërkurën në mbrëmje fotografi nga një darkë e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Lajçak ka shkruar në Twëitter se diskutimi në nivel të kryenegociatorëve do të mbahet më 13 maj.