Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani, ka thënë se Gjermania dhe Bashkimi Evropian e kanë kuptuar se zvarritja e problemeve çon në probleme më të mëdha, prandaj siç ka thënë, tani po i japin më shumë rëndësi stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Cani ka thënë të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, se ka ardhur koha që BE-ja të kalojë nga fjalët në vepra, në mënyrë që Ballkanit Perëndimor t’i ofrojë mundësi që procesi i anëtarësimit të bëhet realitet.
“Jo vetëm Gjermania, por edhe BE-ja janë duke e kuptuar shumë seriozisht gjendjen e Ballkanit Perëndimor. Ka ardhur koha kur duhet të kalohet nga fjalët në vepra, që Ballkanit Perëndimor t’i ofrohet mundësi që procesi i anëtarësimit në BE të bëhet realitet, sepse e kemi parë shumë qartë që çdo zhagitje e problemeve mund të sjellë edhe te konfliktet tepër të mëdha, siç e kemi për shembull në Ukrainë. Në BE, Gjermani dhe SHBA kanë kuptuar se mundësia e konfliktit në Ballkan është e madhe për shkak të ndikimit të Rusisë. Këto shtete e kanë kuptuar që duhet të bëjnë hapa serioz në kuptim të afrimit të këtij rajoni në mënyrë që t’i jepet njëherë e përgjithmonë fund këtyre problemeve”, ka thënë Cani.
Sipas tij, takimi i kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vjen në një kohë të rëndë për Serbinë.
“Scholzi e ka luajtur rolin e tij që të ndërmjetësojë takimin që është i rëndë mirëpo vjen në një moment tejet të rëndësishëm kur Serbia ndodhet në një lloj udhëkryqi, të vazhdojë të luajë lojën e dyfishtë mes Rusisë e Perëndimit apo të përcaktohet për rrugën e saj për BE-në”, ka shtuar Cani.