3 perditesime
13:28

Zelensky i kërkon Shqipërisë: Kufizoni ardhjen e turistëve rusë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nëpërmjet një fjalimi për kuvendarët e Shqipërisë, të martën, bëri thirrje që të kufizohen vizitat e turistëve rusë.

Ai tha se duhet ndaluar turistët rusë të futen në Shqipëri, pasi siç theksoi, nuk mund të dihet se kush po e viziton vendin.

“Kërkoj t’i kufizoni ardhjet e turistëve rusë, se nuk mund ta dimë kush erdhi te ju sot. Ndoshta vrasësit që ishin në Bucha apo xhelatët e Mariupolit. Ndoshta ndonjë erdhi për të minuar vendin tuaj”, deklaroi Zelensky.

Sipas tij, Shqipëria i ofroi përkrahje Ukrainës gjatë luftimeve që po zhvillohen me forcat ruse, derisa i bëri thirrje perëndimit që ta shkëputë tërësisht Bankën ruse nga sistemi financiar.

“Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet tërësisht tregtia me Rusinë. Kërkoj t’i mbyllni portet për anijet ruse. Jam shumë mirënjohës për Shqipërinë. Që nga viti 2014, kur Rusia e filloi luftën në rajonin e Donbasit, OKB-ja ka blerë mallra së paku 2 miliardë e gjysmë dollarë. Kjo s’duhet të ndodhë. Së bashku jemi të përkushtuar për zgjerimin e një Evrope të bashkuar. Jam i sigurt se tani të gjithë në botë po e tregojnë karakterin e vet”, tha Zelensky.

13:16

Zelensky falënderon Shqipërinë: Ma kujtoni Shën Terezën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë adresimit Kuvendit të Shqipërisë, ka thënë ukrainasit po përballen me luftë të tmerrshme e të pamëshirshme nga Rusia.

Ai ka thënë se në Kharkiv pothuajse të gjitha shtëpitë janë shkatërruar.

Sipas tij, është gati një qytet plotësisht i djegur.

Zelensky ka thënë se skenat e shkatërrimit, vrasjes, dëbimit janë të tmerrshme, ndërkohë ka falënderuar Shqipërinë.

“Po shikojmë ushtrinë ruse që po i gjuan fëmijët. Njerëzve të strehuar në bunkere kanë filluar t’u ngrihen këmbët e duart. Në zonat e çliruara nga Rusia po varrosen njerëzit të cilët u gjetën të mbytur me duar të lidhura, e të vrarë pas koke. U kërkua nga Rusia të pushonte bombardimet gjatë pashkëve por nuk e bëri. Ata nuk duan të ndalojnë, duan të shkojnë më tej. Ata po bëjnë përpjekje për të ringjallur një tirani të tmerrshme”, ka thënë ai.

Zelensky ka thënë se është mirënjohës ndaj Shqipërisë që nuk ka hezituar ta mbështesë.

Ai ka thënë se ky qëndrim i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën ta kujtojë Nenën Terezën.

“Ajo mësoi se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqën. Unë besoj që së bashku me gjithë evropianet ne do të jemi në gjendje ta ndalim këtë luftë”, ka thënë ai.

13:05

Zelensky nis adresimin para deputetëve të Shqipërisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nisur adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Zelensky po i drejtohet Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë - nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.

Shqipëria është rreshtuar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në mbështetjen e Ukrainës, duke bashkëvepruar me aleatët në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.

07:45

Zelensky i drejtohet sot Parlamentit të Shqipërisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë më 3 maj, përmes video-lidhjes.

Lajmi është bërë i ditur ditë më parë nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila ka nxjerrë urdhrin për mbledhjen e seancës së posaçme të Kuvendit më 3 maj.

Presidenti ukrainas Zelensky do t’i drejtohet Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë - nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.

Shqipëria është rreshtuar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në mbështetjen e Ukrainës, duke bashkëvepruar me aleatët në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.

Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon sulmin rus në Ukrainë dhe së fundi kanë nisur iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës përmes OKB-së në këtë konflikt.

Adresimi në Kuvendin e Shqipërisë i presidentit të Ukrainës pason një telefonatë që Zelensky i ka bërë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në javët e para të luftës në Ukrainë për t’iu falënderuar këtij të fundit për përkrahjen dhe kontributin e Shqipërisë ndaj Ukrainës.