Arbëri

MASHTI formon qendra të testimit, në mungesë të kompjuterëve në disa shkolla

Pesëmbëdhjetëvjeçarët e shkollave fillore dhe ata të mesme të Kosovës nga 5 deri më 20 maj do t’i nënshtrohen Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). Realizimi i testimit kërkon kabinete të informatikës, por siç bëjnë të ditur përfaqësues të arsimit, jo të gjitha shkollat i kanë ato. Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit, Ministria e Arsimit ka formuar qendra të posaçme të testimit nëpër komuna

Nxënësit 15-vjeçarë të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës do t’i nënshtrohen vlerësimit ndërkombëtarë PISA, që zyrtarisht do të mbahet nga data 5 deri më 20 maj. Për t’iu nënshtruar këtij testi janë të nevojshëm kompjuterët pasi testi është i digjitalizuar, por një numër i madh i shkollave nuk kanë pajisje teknologjike. Me qëllim që të sigurohet mbarëvajtja e procesit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka formuar qendra të testimit brenda institucioneve arsimore. Në Komunën e Prishtinës janë katër sosh - në shkollën ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, në shkollën private “Don Bosko”, në shkollën e mesme “Alauudin”, dhe në gjimnazin “Sami Frashëri”.

I tërë procesi i testimit do të monitorohen nga administratorët vendorë, të cilët janë përzgjedhur nga MASHTI. Udhëheqësi i divizionit për vlerësim, Fatmir Elezi, ka thënë se janë trajnuar rreth 230 administratorë.

“Administratorët janë persona që nuk janë në punë ose janë mësimdhënës të shkollave. Kriter është që ata duhet të trajnohen dhe duhet të dinë ta përdorin kompjuterin. Brenda një dite i kemi trajnuar për rregullat e administrimit”, ka thënë ai, duke shpjeguar se një administrator do t’i monitorojë një grup prej 25 nxënësish.

Rreth 7 mijë të rinj do t’i nënshtrohen këtij testimi. Ata janë përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga sistemi elektronik i PISA-s. Përgjegjësit e shkollave kanë treguar se nga lista e 15-vjeçarëve që i kanë dërguar në PISA, nga përzgjedhja e rastësishme ka nxënës me performancë të shkëlqyeshme, mesatare dhe të dobët.

Koordinatorë të shkollave treguan se në testimet parapake ka pasur mungesë të seriozitetit nga nxënësit. Në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë mësimdhënësit i kanë trajnuar nxënësit për afro një muaj.

Arlinda Zeqiri, koordinatore për cilësi në këtë shkollë, ka thënë se nuk pret rezultat pozitiv për shkak të mësimit në distancë që është mbajtur si pasojë e pandemisë.

"I kemi 19 nxënës të asaj moshe, dhe të gjithë do të marrin pjesë në testin PISA. Nxënësit kemi filluar me i përgatit pothuajse qe tri javë. Po i përgatisim edhe teknikisht, pasi do të punojnë në kompjuter dhe duhet të jenë edhe teknikisht të përgatitur, sepse ka lloje të ndryshme të pyetjeve. Mirëpo edhe mësimdhënësit e gjuhës shqipe dhe ata të matematikës janë duke ushtruar me ta gjatë javës, varësisht sa kanë orë të lira", ka shpjeguar ajo.

Koordinatori në shkollën ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, Arben Krasniqi, ka thënë se këtë herë kanë bërë përgatitje më intensive me nxënës që mbajnë orë shtesë, pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor.

Nxënësit e kësaj shkolle janë shprehur optimistë se do të tregojnë rezultate të mira këtë vit. Hana Gashi ka thënë se është njoftuar me natyrën e pyetjeve të testit dhe me mënyrën e plotësimit të testit në kompjuter

"Kemi bërë dy javë përgatitje të testit PISA, kryesisht edhe nga Kryesia e shkollës jemi informuar për testet e kaluara që kanë qenë. Ato teste kanë qenë shumë logjike, por ne nxënësit kemi emocione pasi që do ta përfaqësojmë shtetin tonë dhe duhet të japim maksimumin dhe shpresoj që do të arrijmë më të mirën që mundemi", ka thënë Hana, e cila është nxënëse në klasën e dhjetë.

Vlerësimit ndërkombëtar nuk do t’i nënshtrohen nxënësit e komuniteteve në Kosovë.

"Për shkak se komuniteti turk dhe ai boshnjak ka numër të vogël të nxënësve të moshës 15-vjeçare, nuk e përfaqësojnë as 1 për qind të nxënësve të Kosovës, andaj janë përjashtuar nga mostra. Komunitetin serb nuk i kemi ende mundësitë me i përfshi në sistem", ka thënë Elezi.

PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore. Testi PISA zhvillohet çdo tre vjet. I ngërthen arritshmëritë në tri kategori të njohurive – atë të shkencës, matematikës dhe leximit. Këtë vit testimi i nxënësve do të bëhet me fokus të veçantë në lëndën e matematikës.

Rezultatet e testit të parë PISA, që është mbajtur në Kosovë në vitin 2015, janë publikuar në vitin 2016. Kosova, asokohe, është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test. PISA e dytë në Kosovë është mbajtur në vitin 2018 dhe nga rezultatet e publikuara më 2019, Kosova ka dalë e 77-ta në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar testimit. Testi i sivjetmë ka qenë i paraparë të mbahej në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.