Arbëri

Syla: Serbia nuk ka mundësi ta destabilizojë Kosovën

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, Serbia, Kosova, Destabilizim, Prill 2022

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka deklaruar se mjetet të cilat po grumbullohen në Fondin e Sigurisë do të destinohen për nevojat kyçe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, derisa theksoi se FSK-ja ka nevojë për pajisje shtesë, armatim dhe plotësim të kapaciteteve që i duhen një ushtrie.

Syla nuk tregoi ndonjë shifër të përafërt për grumbullimet në këtë fond, por shtoi se investimi i tyre do të analizohet nga ekspertë ushtarakë. Syla u deklarua edhe për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe përpjekjet e shtetit për anëtarësim në NATO.

Sipas tij, kontributi më i madh për Fondin e Sigurisë, po vjen nga mërgimtarët të cilët sipas tij kanë biznese dhe po shprehin në masë të madhe interesim për këtë fond.

“Një pjesë e opozitës ka disa dilema dhe ka ngritur disa çështje të cilat më duken si absurditet sepse një fond i krijuar nga shteti dhe i kontrolluar dhe monitoruar nga shteti, është shumë më i sigurt se fondet e tjera siç kemi dëgjuar më herët si ka vajtur puna e tyre, me gjithë ato fjalë, me gjithë atë zhurmë dhe me gjithë atë diskreditim. Ne tani nuk kemi lejuar të kemi fonde të tilla anash, por të ketë shteti mekanizmin që e drejton, e kontrollon, e monitorin dhe e bënë transparent. Nuk kemi shifër të përafërt, ndërkohë jam i bindur që qeveria shumë shpejt do të dalë me një të dhënë të saktë”, ka thënë Syla.

Më 2 mars të këtij viti Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë në të cilin mund të kontribuojnë qytetarët dhe donatorë të ndryshëm.

Sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes, askush nuk duhet të shqetësohet rreth investimit këtyre mjeteve, meqë siç thotë ai, për këtë do të ketë analiza nga ekspertët ushtarakë.

“Më së shumti ne kemi nevojë që të përgatitet Forca, të plotësojë kapacitetet. Për t’i plotësuar kapacitetet ka nevojë për pajisje, edhe armatim, edhe pjesë të tjera të gjithanshme që i nevojiten ushtrisë. Kështu që ato do të destinohen në vendin e duhur, aty ku ka nevojë. Do të menaxhohen nga shteti, do të bëhen analiza të thukëta, edhe nga Ministria e Mbrojtjes, nga FSK-ja, edhe nga ekspertë ushtarakë për të ditur ku na nevojitet më shumë investim”, është shprehur ai.

Ndërsa duke folur për situatën aktuale të sigurisë në vend, Syla ka thënë se Serbia po përdorë metoda të ndryshme provokimi por pavarësisht kësaj, ai nuk sheh mundësi destabilizimi.

“Krejt këto elemente që janë faktike në provokimet e policisë dhe pjesëve të tjera dhe formave dhe mënyrave të tjera janë në vazhdën e planit serb për destabilizim. Nuk ka mundësi Serbia në këto kushte të destabilizojë Kosovën, i ka të kota ato veprime që i bënë, ato vetëm çka po e shpërfaqin atë egon me të cilën Serbia është ende duke ëndërruar, ato kanë perënduar por ne duhet të jemi sy-çelë pavarësisht, ne duhet të jemi në krye të detyrës, ne bëjmë punët tona”, ka thënë zëvendësministri i Mbrojtjes.

Sipas tij, Serbia po i ikë dialogut në Bruksel, meqë nuk është e gatshme të përballet me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës.

“Po shihet mungesa e gatishmërisë për të qenë në dialog dhe krejt këto çka i bën i ka për një synim, për të penguar dialogun sepse tani nuk po është e gatshme me hy në dialog për të biseduar shtruar sepse Qeveria jonë i ka të qarta synimet, e ka qëndrimi ne qartë dhe përballë atij qëndrimi Serbia është zmbrapsur, prandaj edhe i ikë takimit, i ikë dialogut dhe merret me konflikte të tjera, me përgatitjen e konflikteve për ta bërë një vend konfliktuoz për të pasur arsye për me i ikë edhe dialogut”, ka thënë ai.

Syla shtoi se po punojnë drejt ngritjes së kapaciteteve të FSK-së në mënyrë që të arrihet sa më parë edhe anëtarësimi në NATO, për çka sipas tij, ekziston mbështetja e shumë shteteve partnere. /KSP