Arbëri

Mbi 800 mijë vaksina në stok, disa prej tyre me afat deri në qershor

Gjendje e qetë epidemiologjike është raportuar gjatë javëve të fundit në vend, e kjo situatë ka ndikuar edhe në ngadalësimin e ritmit të imunizimit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ka rënie të interesimit për vaksinim. MSH-ja tregon se në stok janë mbi 800 mijë vaksina, prej të cilave një sasi e vogël e tyre do të mund të përdoren vetëm edhe një muaj

Bashkë me situatën e qetë epidemiologjike në vend gjatë ditëve dhe javëve të fundit është ngadalësuar edhe ritmi i imunizimit kundër COVID-19. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, për më shumë se dy javë nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes si pasojë e infektimit me virusin SARS-CoV-2. E gjatë kësaj periudhe edhe numri i të infektuarve është relativisht i vogël, brenda 24 orëve raportohen deri në 30 raste të reja.

Por, me t’u përmirësuar situata me pandeminë, në Kosovë vërehet ulje e numrit të të interesuarve për imunizim. Gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave nga MSH-ja, janë administruar 159 doza të vaksinës. E ky numër, pati ditë që gjatë javës ishte vetëm 17.

Këto shifra i kanë komentuar edhe brenda vetë institucionit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Faik Hoti, zëdhënësi i MSH-së, ka thënë se deri në këtë numër të vogël të vaksinimit në këtë muaj kanë ndikuar disa faktorë.

“Përgjithësisht situata e qetë epidemiologjike ka ndikuar që të ketë një interes më të vogël, por megjithatë gjatë javës procesi rrjedh, është një numër solid i vaksinave që shpërndahen. Jemi të interesuar që këtij procesi t’i japim një dinamikë më të lartë duke parë që në shtete të ndryshme këtyre ditëve kemi incidencë të lartë të rasteve të reja të COVID-19 dhe nuk përjashtohet që në të ardhmen edhe ne të ballafaqohemi me të tilla”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se kanë mjaftueshëm vaksina kundër COVID-19, prej mbi 800 mijë sosh në stok, prej të cilave sipas Hotit, janë duke i shpërndarë me prioritet ato vaksina të cilat kanë afat të shkurtër të përdorimit.

“Ajo çfarë duam t’i sigurojmë qytetarët e vendit është që asnjë qytetar i Republikës nuk do të marrë në asnjë rrethanë vaksinë pa afat. Ndërsa vaksinat e para të cilat nuk mund të përdoren dhe që janë për fat të mirë stoku më i vogël janë vaksinat të cilat nuk mund të përdoren nga data qershor e tutje”, ka shtuar zëdhënësi i MSH-së.

Sipas tij, mbi 1 mijë qytetarë kanë marrë dozën përforcuese, duke e konsideruar atë si përqindje të ulët në krahasim me dozën e parë dhe të dytë.

Gjatë javës, Dibran Gashi së bashku me bashkëshorten morën dozat e radhës të vaksinës kundër COVID-19. Ata kanë qenë ndër qytetarët e paktë që u imunizuan në qendrën e vaksinimit në “Kalabri”.

“Kemi ardhur, sot e morëm dozën e tretë të vaksinës. Bashkëshortja gjithashtu e mori dozën e dytë dhe duhet të presë edhe tre muaj që ta marrë të tretën. E kemi parë që ata të cilët kanë qenë të vaksinuar e kanë kaluar shumë më lehtë COVID-in. Ne atëherë kur nuk kemi qenë të vaksinuar, kemi pasur vështirësi më të mëdha”, është shprehur Gashi.

Edhe punonjësit në këtë qendër kanë treguar se ditëve të fundit interesimi për t’u imunizuar është më i vogël.

Situatë e ngjashme është edhe në qendrën ambulatore në sheshin “Zahir Pajaziti”. Disa nga mjekët nga kjo qendër kanë thënë se ka rënie graduale të procesit të vaksinimit. Sipas tyre, 95 për qind e qytetarëve vijnë për t’u imunizuar për arsye të udhëtimit, duke treguar se ka më shumë të interesuar për dozën e tretë.

Të premten, më 22 prill, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se për herë të parë që nga fillimi i pandemisë me koronavirus, Klinika Infektive e QKUK-së nuk ka të shtrirë asnjë pacient të konfirmuar me COVID-19.

Qeveria e Kosovës, në maj të vitit të kaluar, kishte arritur marrëveshjen me “Pfizerin” për blerjen e 1.2 milionë dozave të vaksinave, koston e të cilave nga MSH-ja vazhdojnë ta mbajnë konfidenciale.

Deri më tani, në vend janë administruar mbi 1.8 milionë doza në total. Sipas raportit të MSH-së, të vaksinuar me një dozë janë 902.392 persona dhe 822.026 me dozën e dytë. Derisa 440 është numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend.