Arbëri

Telekomi teston sistemin e identifikimit me sy për hyrje-daljet e punëtorëve

Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit, ka thënë se sistemi e ndihmon ndërmarrjen në evitimin e humbjeve prej qindra mijëra eurosh, si pasojë e mungesës së punëtorëve në vendin e tyre të punës. Ai ka theksuar se sistemet e mëhershme të identifikimit kanë rezultuar të pasuksesshme në evidentimin e hyrje-daljeve

Telekomi i Kosovës është duke e testuar për tash e tri javë një sistem të ri të identifikimit të punëtorëve në hyrjet dhe daljet e tyre me anë të skanimit të retinës së syrit, është bërë e ditur nga Sindikata e kësaj ndërmarrjeje publike.

Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit, ka thënë se sistemi e ndihmon ndërmarrjen në evitimin e humbjeve prej qindra mijëra eurosh, si pasojë e mungesës së punëtorëve në vendin e tyre të punës. Ai ka theksuar se sistemet e mëhershme të identifikimit kanë rezultuar të pasuksesshme në evidentimin e hyrje-daljeve.

“Në vazhdimësi kemi proklamuar për mosardhjen e punëtorëve dhe njerëzve në punë. Një nga problemet për mosardhjen në punë ka qenë edhe evidentimi i punëtorëve gjatë hyrjes dhe daljes në punë. Kemi pasur sistem elektronik, i cili është bërë me kartelë dhe ajo ka mundur që të keqpërdoret. Kemi pasur edhe sistemin nëpërmjet kompjuterit, i cili po ashtu ka mundur që të keqpërdoret për shkak se ka mundur të jetë dikush tjetër për të nënshkruar nëpërmjet kompjuterit”, ka thënë Balaj.

Ai ka bërë të ditur se me pajisjet biometrike që i identifikojnë punëtorët nëpërmjet retinës së syrit deri më tani nuk janë identifikuar probleme.

“Menaxhmenti tashmë ka marrë një vendim për aprovim të bordit. Është një sistem që e kanë vendosur dhe është në fazën testuese. Momentalisht është në rregull. Nuk dyshojmë që ka diçka të keqe. E në rast që është i kundërligjshëm, atëherë mbetet përgjegjësia tek ata që e kanë lejuar një gjë të tillë”, ka thënë Balaj.
Vendimet e këtilla, sipas njoftimit nga Telekomi, lidhen edhe me sigurinë në objektet zyrtare të ndërmarrjes, duke e pamundësuar qasjen e personave të paautorizuar dhe regjistrimin e prezencës në objekt.

“Përmes kësaj teknologjie, qasja në objekte do të jetë e pamundur për personat e paautorizuar dhe njëkohësisht pamundësohen keqpërdorimet e deritashme gjatë regjistrimit të hyrje-daljeve, përkatësisht, e siguron prezencën apo mosprezencën e personelit të Telekomit në objekte dhe në vendet e tyre të punës. Kontaktet me Agjencinë për Informim dhe Privatësi janë të vazhdueshme që nga themelimi i saj. Rrjedhimisht kemi qenë në kontakt edhe lidhur me këtë çështje”, është thënë në përgjigjen me shkrim për KOHËN nga Telekomi i Kosovës.

Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi është konfirmuar se tashmë janë vënë kontaktet me Telekomin lidhur me çështjen. Sipas përgjigjes për KOHËN nga kjo agjenci, rekomandimi i dhënë për ndërmarrjen publike, gjatë takimeve të mbajtura mes palëve, ka qenë për shmangien e përpunimit të të dhënave.

“Më datë 22.4.2022, me kërkesë të Telekomit të Kosovës, kemi realizuar një takim, në të cilin jemi njoftuar se Telekomi ka vendosur aparate për evidentimin e punonjësve lidhur me hyrjen-daljen e punëtorëve dhe të njëjtit nuk kanë konfirmuar se këto aparate përpunojnë të dhëna biometrike. Në takim kemi këshilluar Telekomin se nëse janë duke u përpunuar të dhënat biometrike për qëllim të hyrje-daljes në punë, të ndalojë një veprim të tillë dhe të largojë menjëherë aparatet e vendosura. Pas përfundimit të procedurave inspektuese, AIP-ja do të marrë vendim në bazë të gjetjeve dhe do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.

Lidhur me mënyrën e përpunimit të të dhënave personale, nga AIP-ja është bërë e ditur se planifikohet që Telekomi t’i nënshtrohet inspektimit gjatë së premtes.

Në rastet e evidentimit të shkeljeve, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i jep fuqi agjencisë për ta urdhëruar ndalimin e qasjes në të dhëna, për ta bërë shkatërrimin e të dhënave, si dhe për të shqiptuar gjoba.

Neni 18 i këtij ligji parasheh se sektori publik mund të përdorë karakteristikat biometrike, vetëm nëse ato kërkohen domosdoshmërisht për sigurinë e njerëzve, për sigurimin e pronës apo për mbrojtjen e të dhënave konfidenciale dhe sekreteve të biznesit, nëse kjo nuk mund të arrihet me mjete më të lehta.