Eksperti i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj, thotë se me aplikacionin e ri që ka të bëjë me verifikimin e deklarimit të punëtorit, Administrata Tatimore e Kosovës ka cenuar privatësinë e mijëra qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët janë të regjistruar në ATK dhe rrjedhimisht, në Trust.
Në këtë aplikacion që ka për qëllim ta luftojë punësimin ilegal dhe mosdeklarimin e punëtorëve, ku në mënyrë online punëtorët do të mund të shohin nëse janë të deklaruar në ATK nga punëdhënësi i tyre, Hoxhaj thotë se për shkak të gabimeve logjike dhe mosmarrjes së masave të duhura tekniko-logjike, ekspozohet privatësia dhe të dhënat te palët e treta.
Në këtë aplikacion, i gjithë informacioni që duhet dhënë për të parë pasqyrën e punësimit në ATK, është numri personal, i cili më pas është i disponueshëm dhe mund të gjendet pa ndonjë vështirësi të madhe nga shumë njerëz e kompani.
Për këtë, Hoxhaj thotë se institucionet kanë dështuar të marrin masat e duhura për të mbrojtur të dhënat e personave dhe privatësisë.
“Institucionet nuk kanë aplikuar rregullin/standardin ‘privacy by design’ që do të thotë se në rastin kur një shërbim aplikohet duhet të jetë i tillë që të merren masat e duhura që të dhënat personale të jenë të sigurta dhe të ruhet privatësia. Institucioni ka dështuar të bëjnë anonimizimin e të dhënave”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e tij në Facebook.
Edhe
Të dhënat bankare të kosovarëve të rrezikuara, kërkohet kujdes dhe siguri
Ndërsa, nga aspekti i sigurisë së informacionit, ai thotë se ka shkelje të “konfidencialitetit” ngase të dhënat mund t’i eksponohen palëve të treta.